KORREKT / SOT23 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

​Kosova blen gati 700 milionë euro mallra vetëm për një muaj, deficiti tregtar arrin në 575 milionë euro

​Kosova blen gati 700 milionë euro mallra vetëm për një muaj, deficiti tregtar arrin në 575 milionë euro

Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 699,3 milionë eurosh gjatë tetorit 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 124,2 milionë euro.

Sipas raportit të publikuar sot nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar ka arritur në 575,1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 8,5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, kur ishte 530 milionë euro.

Megjithatë, eksportet kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej 35,3%, ndërsa importet janë rritur për 12,5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Të dhënat tregojnë se eksportet mbulojnë vetëm 17,8% të importeve, duke dëshmuar se Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë nga mallrat e importuara.

Sa u përket produkteve që Kosova eksporton më së shumti, metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbëjnë 23,3% të eksporteve, të ndjekura nga produktet minerale me 20,6%, plastika dhe goma me 10,7%, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 8,7%.

Në anën tjetër, produktet minerale përbëjnë 18,6% të importeve, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike 12,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 11,5%, ndërsa mjetet e transportit 11%.

Shqipëria, partneri kryesor i Kosovës për eksporte në rajon

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s kanë arritur në 65,9 milionë euro, duke përbërë 53,1% të eksporteve të përgjithshme.

Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, eksportet drejt këtyre vendeve janë rritur për 66,4%.

Shqipëria renditet e para ndër partnerët e CEFTA-s për eksportet e Kosovës, me 28,7% të eksporteve të përgjithshme, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 11,4%, Serbia me 6,7% dhe Mali i Zi me 4,2%.

Ndërkohë, importet nga vendet e CEFTA-s kanë arritur në 84,7 milionë euro, me rritje prej 12,3%.

Gjermania dhe Kina ndër partnerët kryesorë tregtarë

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë arritur në 35,3 milionë euro, ose 28,5% të eksporteve të përgjithshme.

Gjermania është partneri kryesor i Kosovës për eksporte në BE, me 9,5% të totalit, e ndjekur nga Holanda me 2,9% dhe Italia me 2,2%.

Ndërkaq, importet nga Bashkimi Evropian kanë arritur në 283,6 milionë euro, duke përbërë 40,6% të importeve të përgjithshme.

Nga vendet e BE-së, Kosova ka importuar më së shumti nga Gjermania, me 12,8% të importeve të përgjithshme, Greqia me 5,7% dhe Italia me 4,5%.

Në grupin e vendeve të tjera, Kina zë vendin kryesor për importe me 15,5% të totalit, e ndjekur nga Turqia me 10,6%.

Mund të lexoni edhe grafikonin: Imporetet dhe eksportet e Kosovës gjatë muajve janar-tetor 2026 dhe krahasimi me periudhën e njëjtë janar-tetor 2025

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.