MPB Maqedoni njofton se sot (23.10.2026), oficerë policie nga Departamenti i Policisë Kriminale të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë dhe ekipi mobil “Task Force” në koordinim me përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike kryen një kontroll aksional në një objekt hotelierik në Qendrën Tregtare të Qytetit në Tetovë.
“M.R. (48) nga Tetova u gjet para objektit dhe gjatë një kontrolli tek ai u gjet substancë pluhur e bardhë, pas së cilës ai u privua nga liria. Ndërsa, brenda objektit, tek pronari J.T. (54) nga fshati Trebosh u gjetën 15 pako me substancë pluhur të bardhë, pas së cilës edhe ai u privua nga liria”.
“Të dy u ndaluan në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të ngrihen akuza përkatëse”, thonë nga MPB.

