Tregu i punës po ndryshon me ritëm të shpejtë dhe bashkë me të po ndryshojnë edhe aftësitë që kërkohen nga profesionistët.
Në kontabilitet, njohja e standardeve, ligjeve dhe financave vazhdon të jetë themeli i profesionit, por sot kësaj baze po i shtohen gjithnjë e më shumë teknologjia, aftësitë praktike dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
Pikërisht për këtë transformim u diskutua në episodin e parë të serisë së podcastit në kuadër të projektit “Matching Skills to Jobs (MSJ)”.
Në bisedën e udhëhequr nga Fiona Xhema Troshupa, e ftuar ishte Melita Ymeraga nga kompania “Melita & Partners”, ku në fokus ishte kontabiliteti, zhvillimi i aftësive profesionale dhe përgatitja e të rinjve për nevojat reale të tregut të punës.
Kontabiliteti përtej deklarimit të tatimeve
“Melita & Partners” është kompani e specializuar në kontabilitet, menaxhim financiar dhe zgjidhje digjitale. E themeluar në vitin 2010, kompania ka pasur që nga fillimi synimin që të ndryshojë mënyrën se si perceptohet kontabiliteti.
Sipas Ymeragës, ky profesion vazhdon shpesh të shihet vetëm si një funksion që merret me deklarimin e tatimeve dhe dokumentacionin, ndërsa në realitet mund të ketë rol shumë më të rëndësishëm për një biznes: ta ndihmojë atë t’i kuptojë financat, ta përcjellë performancën dhe të marrë vendime të informuara.
Për ta arritur këtë, nevojitet kombinimi i njohurive profesionale me teknologjinë, softuerët dhe profesionistët që dinë t’i përdorin ato në praktikë.
Pikërisht teknologjia, sipas Ymeragës, është ajo që ka sjellë ndryshimin më të madh në mënyrën se si ushtrohet profesioni.
“Që nga viti 2010 trajnimet tona kanë qenë praktike, jo vetëm teorike. Kemi synuar ta kombinojmë pjesën teorike, standardet dhe ligjet që e rregullojnë profesionin, me përdorimin e mjeteve teknologjike. Me ardhjen e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e shumë aplikacioneve në treg, kjo është ajo që po e bën dallimin kryesor sot. Pra, jo profesioni. Profesioni ka mbetur ai që ishte”, thotë Ymeraga.
Trajnim që kombinon kontabilitetin me inteligjencën artificiale
Mbi këtë përvojë, “Melita & Partners”, në bashkëpunim me projektin “Matching Skills to Jobs”, po ofron një trajnim në fushën e kontabilitetit që integron edhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Ideja për këtë bashkëpunim erdhi nga nevoja për t’i përfshirë zhvillimet e fundit teknologjike në trajnimet profesionale dhe për t’i afruar ato sa më shumë me realitetin e tregut të punës.
Trajnimi nis me bazat e kontabilitetit, ndërsa pjesa më e madhe e tij zhvillohet përmes mjeteve që pjesëmarrësit mund t’i përdorin më vonë në një ambient real pune. Në praktikë, ata punojnë me skenarë biznesi, fatura, shitje, blerje dhe raportime, ndërsa përdorin edhe aplikacione që mundësojnë automatizimin dhe përpunimin më të shpejtë të të dhënave.
Trajnimi nuk kufizohet vetëm te njohuritë teknike. Pjesë e tij janë edhe komunikimi profesional, etika, mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve – aftësi që, sipas Ymeragës, janë të domosdoshme për të funksionuar në mënyrë të pavarur në një vend pune.
A do t’i zëvendësojë AI kontabilistët?
Nga zhvillimi i teknologjisë, biseda kalon edhe te një prej pyetjeve që po shtrohet gjithnjë e më shpesh: a mundet inteligjenca artificiale t’i zëvendësojë profesionistët?
Moderatorja Fiona Xhema Troshupa e ngre këtë dilemë duke e pyetur Ymeragën nëse AI duhet parë si konkurrencë për kontabilistin apo si një mjet ndihmës në punën e tij.
Për Ymeragën, teknologjia nuk e largon profesionistin nga procesi, por mund ta lirojë atë nga një pjesë e punëve rutinore.
“Unë mendoj që inteligjenca artificiale nuk ka me i zëvendësu kontabilistët, por ka me ju mundësu që punën rutinore me e kry teknologjia, ndërsa këta me u diferencu në treg si kontabilistë me AI. Është një përparësi konkurruese sot kur dikush i di standardet, por e di edhe teknologjinë”, thekson ajo.
Kjo u jep profesionistëve më shumë hapësirë të merren me analizën e raporteve, interpretimin e të dhënave dhe çështjet që kërkojnë më shumë gjykim profesional.
Diploma është e rëndësishme, por aftësitë duhet të zhvillohen paralelisht
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i kushtohet edhe mënyrës se si të rinjtë duhet të përgatiten për punësim.
Sipas Ymeragës, shkollimi akademik është i rëndësishëm, por të rinjtë nuk duhet të presin përfundimin e studimeve për të filluar zhvillimin e aftësive praktike. Krahas fakultetit, ata duhet të kërkojnë përvojë, trajnime dhe njohuri që lidhen drejtpërdrejt me profesionin që synojnë.
Arsyeja është e thjeshtë: tregu është bërë më dinamik, teknologjia po zhvillohet shpejt dhe shkathtësitë nuk fitohen brenda një dite.
Në këtë drejtim, mundësitë nuk kufizohen vetëm te trajnimet me pagesë. Siç theksohet në bisedë, sot ekzistojnë shumë mënyra për të zhvilluar aftësi të reja edhe përmes burimeve të tjera; ajo që kërkohet është kërkim, përkushtim dhe vazhdimësi.
Teknologjia gjithashtu po e zgjeron edhe tregun ku një profesionist mund të punojë. Aftësitë digjitale mundësojnë punë nga distanca, me kompani brenda apo jashtë Kosovës, duke e bërë përgatitjen teknike edhe më të rëndësishme për të rinjtë që po hyjnë në profesion.
Një mesazh që çdo i ri dhe e re duhet ta mbajë “vath në vesh”
Në fund, biseda shkon përtej kontabilitetit. Mesazhi i Melita Ymeragës vlen edhe për ata që mendojnë se është vonë për të mësuar diçka të re, për të zhvilluar një aftësi apo edhe për të ndryshuar drejtimin e karrierës.
“Secili duhet me vazhdu për ton jetën me investu në veten dhe kurrë nuk është vonë, qoftë me ndërru karrierë apo me investu në një aftësi të re. Edhe tek AI që po flitet shumë, sot është tepër e rëndësishme me pas shkathtësi në veglat me AI, në mënyrë që ta shfrytëzosh mundësinë e teknologjisë dhe të dallohesh në treg”, përfundon Ymeraga.
Është një mesazh që çdo i ri dhe e re në Kosovë duhet ta mbajë “vath në vesh”: diploma është një bazë e rëndësishme, por përgatitja për tregun e punës kërkon mësim të vazhdueshëm, praktikë dhe gatishmëri për të ecur në hap me teknologjinë.
Për të kuptuar më shumë se si inteligjenca artificiale po hyn në kontabilitet, çfarë aftësish po kërkon tregu dhe si mund të përgatiten profesionistët e rinj, ndiqeni bisedën e plotë mes Fiona Xhema Troshupës dhe Melita Ymeragës, në episodin e parë të serisë së podcastit “Matching Skills to Jobs”.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/