Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Majlinda Bregasi, është emëruar anëtare e Këshillit Kombëtar të Shkencës së Kosovës, pasi emri i saj u përfshi në listën e kandidatëve të propozuar nga Qeveria dhe të votuar nga Kuvendi.
Bregasi ishte bërë e njohur edhe për qëndrimet e saj politike, pasi pak para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, u kishte bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Voto qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti”, ishte thirrja e saj në atë kohë.
Ajo kishte kritikuar gjithashtu partitë e tjera politike, duke i akuzuar për bllokimin e Kurtit dhe duke pretenduar se të njëjtat parti e kishin rrëzuar atë edhe gjatë pandemisë.
Emërimi i saj në Këshillin Kombëtar të Shkencës është bërë pjesë e debatit në Kuvend, ku deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime për përgatitjen akademike të disa kandidatëve.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka vënë në pikëpyetje kualifikimin e njërit prej kandidatëve, duke thënë se ai nuk e ka përfunduar as nivelin Bachelor.
“E pashë që është i propozuar një person që s’e ka Bachelor-in e kryer”, ka deklaruar Sadiku.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhia, ka lëshuar në mikrofon një video të Majlinda Bregasit, në të cilën ajo u bënte thirrje qytetarëve ta votojnë Albin Kurtin. Haxhia ka pretenduar gjithashtu se 90 për qind e listës së propozuar përbëhet nga persona të Vetëvendosjes.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, para votimit ka prezantuar listën e 15 kandidatëve të propozuar nga Qeveria, duke thënë se përbërja e Këshillit synon të përfshijë fusha të ndryshme të dijes dhe ekspertizës akademike e kërkimore-shkencore.
Për anëtarët e propozuar kanë votuar edhe deputetët e PDK-së. Para votimit, deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje kolegëve që ta mbështesin listën.
Këshilli Kombëtar i Shkencës është organ që ka për qëllim zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në Kosovë. /Lajmi.net/

