KORREKT / SOT5 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Konjufca pas takimit me Cassis: Kosovën dhe Zvicrën i lidh një miqësi e sprovuar në kohë të vështira, që sot na jep vullnet dhe besim për të ndërtuar të ardhmen së bashku

Konjufca pas takimit me Cassis: Kosovën dhe Zvicrën i lidh një miqësi e sprovuar në kohë të vështira, që sot na jep vullnet dhe besim për të ndërtuar të ardhmen së bashku

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të enjten në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, integrimin evropian të Kosovës dhe mundësitë për rritjen e investimeve zvicerane në vend.

Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar homologun zviceran për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe për solidaritetin e treguar ndër vite ndaj qytetarëve shqiptarë, transmeton lajmi.net.

Ai ka vlerësuar veçanërisht kontributin e Zvicrës në periudhat më të vështira për Kosovën, duke përmendur mundësitë që ky shtet u ka ofruar bashkatdhetarëve shqiptarë, përfshirë strehimin e të përndjekurve politikë dhe mijëra qytetarëve gjatë viteve ’90.

“Sot prita në një takim miqësor kolegun dhe mikun tim, anëtarin e Këshillit Federal dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën dhe i shpreha mirënjohjen e popullit tonë për solidaritetin dhe mundësitë që vendi i tij u ka dhënë bashkatdhetarëve tanë në kohët më të vështira për vendin tonë”, ka shkruar Konjufca.

Kryediplomati kosovar ka theksuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë ndërtuar ndër dekada, kryesisht përmes lidhjeve të diasporës shqiptare me shtetin zviceran.

Sipas tij, bashkatdhetarët që u vendosën në Zvicër gjatë periudhave të ndryshme jo vetëm që kontribuuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, por ndihmuan edhe Kosovën përmes përkushtimit dhe mbështetjes ndaj vendlindjes.

“Mundësitë që diaspora jonë gjeti në Zvicër u kthyen në kontribut për të dyja vendet: me punën e tyre ndihmuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ndërsa me përkushtimin ndaj atdheut u bënë një prej shtyllave të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve, sipas Konjufcës, i është kushtuar edhe perspektivës evropiane të Kosovës dhe rolit të Zvicrës në mbështetjen e këtij procesi.

Po ashtu, dy zyrtarët kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve të reja nga kompanitë zvicerane.

“Në takim diskutuam për integrimin evropian të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e mbështetjes që Zvicra i ka dhënë vendit tonë në avancimin e këtij synimi strategjik. Po ashtu, i kushtuam vëmendje të veçantë thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe mundësive për më shumë investime zvicerane në Kosovë, përmes të cilave afërsia mes vendeve tona mund të përkthehet në partneritete të qëndrueshme mes bizneseve dhe në më shumë mundësi zhvillimi për qytetarët tanë”, thuhet në postimin e tij.

Pas takimit, Konjufca dhe Cassis kanë marrë pjesë edhe në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.

Konjufca e ka cilësuar këtë investim si dëshmi të përkushtimit afatgjatë të shtetit zviceran ndaj Kosovës dhe të besimit të ndërsjellë për forcimin e raporteve dypalëshe.

“Ky investim nga ana e tyre dëshmon përkushtimin afatgjatë të Zvicrës ndaj vendit tonë dhe besimin e ndërsjellë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës”, ka shkruar ministri.

Në fund, Konjufca ka theksuar se miqësia ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës është ndërtuar mbi solidaritetin dhe mbështetjen në periudha të vështira, duke shprehur bindjen se këto raporte do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen.

“ Kosovën dhe Zvicrën i lidh një miqësi e sprovuar në kohë të vështira, që sot na jep vullnet dhe besim për të ndërtuar të ardhmen së bashku”, ka përfunduar Konjufca.

Postimi i plotë: 
Sot prita në një takim miqësor kolegun dhe mikun tim, anëtarin e Këshillit Federal dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Kosovën dhe i shpreha mirënjohjen e popullit tonë për solidaritetin dhe mundësitë që vendi i tij u ka dhënë bashkatdhetarëve tanë në kohët më të vështira për vendin tonë.
Marrëdhëniet tona me Zvicrën mbështeten në një histori që bashkatdhetarët tanë e kanë jetuar dhe ndërtuar përgjatë dekadave. Nga ata që shkuan për të punuar në Zvicër gjatë viteve të shtypjes në Jugosllavi, te të përndjekurit politikë që gjetën strehim atje, e deri te mijëra shqiptarë të cilëve Zvicra u hapi dyert gjatë viteve ’90 përballë terrorit të regjimit të Millosheviqit, çdo brez i bashkatdhetarëve tanë i ka dhënë kësaj miqësie rrënjë më të thella.
Mundësitë që diaspora jonë gjeti në Zvicër u kthyen në kontribut për të dyja vendet: me punën e tyre ndihmuan në zhvillimin e shoqërisë zvicerane, ndërsa me përkushtimin ndaj atdheut u bënë një prej shtyllave të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të Kosovës. Forma e këtij ndërveprimi mes popujve tanë, ka bërë që përparimi i njërit vend të krijoj mundësi zhvillimi edhe për tjetrin.
Në takim diskutuam për integrimin evropian të Republikës së Kosovës dhe rëndësinë e mbështetjes që Zvicra i ka dhënë vendit tonë në avancimin e këtij synimi strategjik. Po ashtu, i kushtuam vëmendje të veçantë thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe mundësive për më shumë investime zvicerane në Kosovë, përmes të cilave afërsia mes vendeve tona mund të përkthehet në partneritete të qëndrueshme mes bizneseve dhe në më shumë mundësi zhvillimi për qytetarët tanë.
Pas takimit, bashkë me ministrin Cassis, mora pjesë në përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Ky investim nga ana e tyre dëshmon përkushtimin afatgjatë të Zvicrës ndaj vendit tonë dhe besimin e ndërsjellë në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve më Republikën e Kosovës.
Kosovën dhe Zvicrën i lidh një miqësi e sprovuar në kohë të vështira, që sot na jep vullnet dhe besim për të ndërtuar të ardhmen së bashku./lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.