Banka “Raiffeisen” konfirmojnë rastin me Përparim Ramën: Kemi hetuar e marrë veprime, kemi njoftuar edhe autoritetet
Banka “Raiffeisen” në një përgjigje kanë folur lidhur me rastin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, meqë nga kabineti i këtij të fundit kanë konfirmuar se një zyrtar i kësaj banke është qasur në llogarinë dhe transaksionet bankare pa autorizim.
Në përgjigje, “Raiffeisen” konfirmojnë se ka pasur ankesë nga kreu i Prishtinës dhe se pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë edhe njoftimin e institucioneve relevante.
“Ju konfirmojmë se ankesa nga Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, është trajtuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullatore. Pas hetimit dhe shqyrtimit të rastit, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, përfshirë edhe njoftimin e autoriteteve kompetente”, ka thënë për Express nga banka “Raiffeisen”
Nga kjo bankë s’kanë dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke thënë se i kushtojnë rëndësi të veçantë ruajtjes së konfidencialitetit bankar të klientëve.
“Sigurojmë klientët se Banka Raiffeisen i kushton rëndësi të posaçme mbrojtjes së të dhënave të tyre personale dhe ruajtjes së konfidencialitetit bankar.Në këtë fazë, nuk mund të ofrojmë hollësi të tjera lidhur me rastin”, përfundon përgjigja e “Raiffeisen”.
Kabineti i krytarit të Prishtinës në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se një zyrtar i bankës “Raiffeisen” është qasur pa autorizim në llogarinë dhe transaksionet e kryetarit Rama dhe se të njëjtat i ka shpërndarë. Për këtë thonë se Raiffeisen ka konfirmuar se e kanë identifikuar punëtorin dhe se të njëjtin e kanë shkarkuar.
Nga Zyra e Ramës kanë paralajmëru se do të ndjekin edhe rrugë ligjore ndaj bankës dhe zyrtarit që dyshohet për veprimin. /express

