Prej disa muajsh punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kanë grevuar për shkak të mos plotësimit të kushteve të tyre të punës.
Të njëjtit kanë kërkuar që t’u respektohet dhënia e pagës me ligjin për pagë minimale, e të mos paguhen me 300 euro siç u paguan deri më tani.
Por kjo kërkesë e tyre nuk u plotësua.
Kësisoj greva vazhdoi dhe gjendja në shkollat e Prishtinës veçse është përkeqësuar sa i përket pastërtisë.
Kjo situatë u rëndua edhe më tepër në javët e fundit ku Këshilli i Prindërve më pas mori vendim që fëmijët të bojkotojnë mësimin, raporton lajmi.net.
Kësisoj sot në disa prej shkollave të Prishtinës nuk është mbajtur mësim, pasi prindërit kanë refuzuar që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat ku mbeturinat nuk lën hapësirë as të ecësh.
Në shkollën Mehmet Gjevori dhe tek shkolla Ismail Qemajli mësimi është bojkotuar.
Si shkak i rreziqeve për infeksione të ndryshme, ata refuzuan që t’i lejojnë fëmijët të paraqiten sot në shkolla.
Kurse Komuna e Prishtinës mbrëmë informoi se ka arritur marrëveshje me sindikatën e punëtorëve grevistë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Arsimit, e cila ka njoftuar se veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë dhe se pagesat e para për punëtorët janë ekzekutuar gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit, pjesa e mbetur e pagesave pritet të realizohet deri të martën, ndërsa puna e rregullt e punëtorëve teknikë pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për qytetarët dhe prindëritKryeqyteti ka arritur sot marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme.
Veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë. Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”.
Drejtoria e Arsimit do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme.Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate./Lajmi.net/




