Komuna e Kamenicës ka njoftuar se edhe këtë vit do të ndërmarrë masa për të lehtësuar qasjen e bashkatdhetarëve në shërbimet administrative gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje.
Sipas njoftimit të Komunës, Drejtoria e Administratës ka vënë në funksion dy linja të gjelbra, të cilat synojnë të përshpejtojnë ofrimin e shërbimeve administrative për mërgimtarët.
Përveç kësaj, pranë objektit të Komunës janë rezervuar edhe dy vende parkimi që do të jenë ekskluzivisht në dispozicion të bashkatdhetarëve, me qëllim që t’ua lehtësojnë qasjen dhe kryerjen e procedurave administrative.
Nga Komuna e Kamenicës bëjnë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit institucional për të ofruar shërbime më efikase dhe më të qasshme për bashkatdhetarët gjatë vizitave të tyre në Kosovë. /Telegrafi/
