Kryetari i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, deklaroi të mërkurën në Maryland se forcat amerikane duhet të jenë të përgatitura për konflikte të mundshme jo vetëm në orbitën e Tokës, por edhe në hapësirën përreth Hënës.
Caine, duke folur në konferencën për ajrin, hapësirën dhe sigurinë kibernetike pranë Washingtonit, tha se ushtria amerikane duhet të përshtatet me “frontin e ri të luftës” dhe të jetë e gatshme të luftojë, të përballojë dhe të fitojë, nga fundi i detit deri në hapësirën cislunare – zona mes orbitës së lartë të Tokës dhe Hënës.
Deklarata e tij vjen disa ditë pasi sekretari i Forcave Ajrore, Troy Meink, tha në të njëjtën konferencë se SHBA-ja ka vendosur “armë për kontrollin e hapësirës në orbitë”, shkruan ap.
Gjenerallejtënant Gregory Gagnon, drejtues i Komandës së Forcave Luftarake në kuadër të Forcave Hapësinore amerikane, tha se kjo degë po përgatitet për operacione në hapësirë dhe rreth Hënës. Ai paralajmëroi se kundërshtarë të mundshëm, përfshirë Kinën, po zgjerojnë aktivitetet e tyre në hapësirë.
Kina, ndërkohë, ka kundërshtuar militarizimin e hapësirës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se Pekini mbështet përdorimin paqësor të hapësirës dhe i bëri thirrje Washingtonit të ndalojë zgjerimin e përgatitjeve ushtarake në hapësirë.
Nuk është e qartë nëse vendosja e armëve në hapësirë apo përdorimi i tyre rreth Hënës do të ishte në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.
Traktati i Hapësirës i vitit 1967, i nënshkruar edhe nga SHBA-ja dhe Kina, përcakton se trupat qiellorë, përfshirë Hënën, duhet të përdoren vetëm për qëllime paqësore dhe ndalon vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë. /Telegrafi/