Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka dhënë mendimin e tij lidhur me pushimet për hidratim që po aplikohen në çdo ndeshje të Kupës së Botës 2026, për shkak të temperaturave të larta në Shtetet e Bashkuara.
Tekniku gjerman pranoi se këto ndërprerje janë të dobishme për futbollistët, por vlerësoi se kohëzgjatja e tyre mund të jetë e tepruar.
“Është shumë vapë dhe është mirë për lojtarët. A është mirë për trajnerët? Po, do të më kishte pëlqyer shumë. Ndoshta është paksa e tepërt tani”, deklaroi Klopp.
Ai shtoi se pushimet zgjasin më shumë sesa nevojitet vetëm për t’u hidratuar, por sipas tij ato kanë edhe anët e tyre pozitive për spektatorët në stadium.
“Është padyshim shumë e gjatë sepse për të pirë, nuk të duhen dy minuta e gjysmë apo diçka e tillë. Por kjo është çështja. Ka përdorimin e vet dhe kur je në stadium, është në rregull sepse ke një shfaqje të vogël – në Dallas me nxitëset e tifozëve, të cilën e shijova në ekranin e madh”, tha ai.
Megjithatë, Klopp pranoi se tifozët që i ndjekin ndeshjet nga shtëpia mund të mos jenë aq të kënaqur me këto ndërprerje, pasi ato shpesh shoqërohen me reklama televizive.
“Është plotësisht në rregull, por e kuptoj kur rri në shtëpi dhe pastaj fillojnë reklamat… por duke qenë në moshën time, është një pushim i mirëpritur të shkosh në tualet!”, përfundoi me humor ish-trajneri i Liverpoolit. /Telegrafi/
