Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot mbajti fjalim në aktivitetin qendror me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru, organizuar nga Klinika e Neurologjisë, kushtuar parandalimit, njohjes në kohë të simptomave dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor për pacientët.
Ai tha se në rastin e goditjes në tru, parandalimi dhe trajtimi në kohë janë veçanërisht të rëndësishëm, pasi koha për reagim është vetëm disa orë.
“Për këtë nevojiten diagnostikimi radiologjik i qasshëm dhe mundësia e fillimit të menjëhershëm të terapisë. Ky aktivitet për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin është vetëm një hap. Së bashku me Klinikën e Neurologjisë, po punojmë për përmirësimin e rrugëve të trajtimit të pacientëve me goditje në tru, me qëllim shpëtimin e sa më shumë jetëve dhe zvogëlimin e aftësisë së kufizuar. Njëkohësisht, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për punën e suksesshme të Klinikës së Neurologjisë, e cila arrin të trajtojë çështje me rëndësi të madhe për sistemin tonë shëndetësor”, theksoi ministri Klekovski.
Ai sqaroi se Klinika e Neurologjisë është një nga klinikat më komplekse dhe rikujtoi procesin e decentralizimit të terapisë për sklerozën multiple, i cili filloi në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit „8 Shtatori“, në Spitalin Klinik të Shtipit dhe në Spitalin e Ohrit, ndërsa tashmë po ndërmerren hapa për përfshirjen edhe të spitaleve në Tetovë, Prilep dhe Strumicë.
Gjatë ditëve në vijim do të publikohen informacione edhe për përparimin në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit dhe sëmundjes së Alzheimerit, në bashkëpunim me Qendrën Klinike Universitare të Lubjanës.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski, theksoi se aktivitetet u realizuan në disa qytete të vendit dhe se qëllimi i këtij aktiviteti është arritur.
“Në kuadër të aksionit për kontrolle parandaluese falas, të organizuar në sheshin e Shkupit, u kontrolluan 147 qytetarë dhe u kryen 160 ekzaminime me Doppler, ku një pacient u shtrua në spital për shkak të një gjetjeje klinike të rëndësishme. Rreth 50 për qind e personave të kontrolluar kishin gjetje të caktuara, ndërsa rreth 30 për qind e tyre do t’i ftojmë për ekzaminime shtesë në Klinikën e Neurologjisë. Çdo minutë është e rëndësishme, koha është tru – njohja në kohë e simptomave bën dallimin midis jetës dhe vdekjes, si dhe midis aftësisë së kufizuar dhe mirëqenies fizike e psikologjike. Po aq i rëndësishëm është edhe parandalimi i duhur, sepse në 90 për qind të rasteve, goditja në tru mund të parandalohet”, theksoi Bozhinovski.

