Me datën 5 të këtij muaji rreth orës 17:15 në në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë ka ndodhur një ‘grabitje’, nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, ku të njëjtit nën kërcënimin e armës kanë arritur të grabisin nga pronari i një argjendarie një sasi të arit dhe një sasi të parave dhe janë larguar në drejtim të panjohur.
Sipas ankuesit, vlera e arit është rreth 30.000 € si dhe para të gatshme rreth dy mijë euro.
Rastit i janë përgjigjur të gjitha njësitet relevante, përfshirë hetuesit policorë, të cilët kanë ndërmarrë veprime intensive hetimore, sigurimin dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në lokacionin e ngjarjes dhe në rrugët përreth, me qëllim të përcaktimit të drejtimit të lëvizjes dhe identifikimit të personave të dyshuar.
Kurse dje rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë, ka ndodhur edhe një tjetër rast i grabitjes në një argjendari, ku dy persona të panjohur, të maskuar dhe të armatosur, kanë kryer veprën penale të grabitjes. Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ishte i armatosur me një armë të gjatë, e cila dyshohet të jetë e tipit AK-47, ndërsa i dyshuari tjetër ishte i pajisur me një çekan. Me të hyrë në argjendari, të dyshuarit menjëherë kanë filluar t’i kanosin personat e pranishëm, duke ua drejtuar armën e gjatë, ku njëri nga të dyshuarit, i cili mbante armën, është afruar te raftet ku ekspozohej ari, ndërsa i dyshuari tjetër, duke përdorur çekanin, ka thyer xhamin e vitrinës dhe ka marrë një sasi të stolive të arit, kryesisht zinxhirë.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes, njëri nga viktimat ka tentuar t’ia shmangë/marrë armën e gjatë të dyshuarit, me ç’rast i dyshuari ka shtënë me armë zjarri, duke e plagosur viktimën në këmbën e djathtë. Sipas deklarimit të viktimës dhe informacioneve fillestare, vlera e arit të grabitur dyshohet të jetë një sasi e konsiderueshme. Pas kryerjes së veprës, të dyshuarit janë larguar fillimisht në këmbë në drejtim të Sheshit të Çarshisë së Vjetër, ku më pas dyshohet se kanë hipur në një veturë të tipit Golf 7, me ngjyrë të bardhë, me të cilën janë larguar në drejtim të panjohur.
“Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesit të cilët kanë filluar intensivisht në hetimin dhe identifikimin e kryerësve të rastit. Po ashtu edhe në këtë rast është bërë sigurimi dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në lokacionin e ngjarjes dhe në rrugët përreth, me qëllim të përcaktimit të drejtimit të lëvizjes dhe identifikimit të personave të dyshuar.Përmes punëve hetimore dhe operacionale të realizuara në vazhdimësi është arritur të sigurohen dëshmi lidhur me identifikimin e personave të dyshuar si dhe mjetin që dyshohet se kanë përdorur të dyshuarit”,thuhet në njoftim.
Me datën 17.11.2026, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, me asistimin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe patrullave të stacionit policor në Gjakovë, kanë kryer bastisje në pronën e personit të dyshuar A. U., i lindur në Gjermani dhe me banim në komunën e Deçanit, ku është gjetur mjeti që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri si dhe një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme.
Po ashtu është kryer kontroll edhe te personi i dyshuar L. I., nga komuna e Deçanit, ku edhe në këtë rast janë gjetur prova të bazuara lidhur me veprën penale të grabitjes së armatosur.
Deri më tani në cilësi të provave materiale janë sekuestruar;
Para të gatshme (7330 euro) dhe (100 dollarë),
Një veturë golf 7,
Një sasi e arit,
Dy telefona,
Veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
“Bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara nga hetuesit rajonalë, personat në fjalë janë të dyshuar të përfshirë në të dy grabitjet e argjendarive në qytetin e Gjakovës, operacion ky i cili ende është në zhvillim e sipër.”
Policia e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet e sigurisë, ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente./Lajmi.net/





