Kina ka përjashtuar dy udhëheqës të lartë ushtarakë, Zhang Youxia dhe Liu Zhenli, nga Partia Komuniste dhe ushtria, sipas një njoftimi zyrtar të së hënës, i cili përmend akuza për mungesë besnikërie, korrupsion dhe shkelje të tjera të rënda disiplinore.
Zhang ishte numri dy në hierarkinë nën presidentin Xi Jinping, si nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak – organi suprem i komandës – dhe prej kohësh konsiderohej si aleati më i ngushtë ushtarak i Xi-së.
Liu ishte anëtar i këtij komisioni dhe shef i shtabit të Departamentit të Shtabit të Përbashkët.
Hetimet ndaj Zhang dhe Liu u njoftuan në janar, ndërsa të dy u larguan nga Komisioni Qendror Ushtarak shtetëror në fund të gushtit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Që kur erdhi në pushtet në vitin 2012, Xi ka ndërmarrë një nga fushatat më të gjera “kundër korrupsionit dhe për disiplinimin e radhëve në historinë moderne kineze”.
Miliona njerëz brenda burokracisë së gjerë kineze janë hetuar në nivele të ndryshme, ndërsa dhjetëra zyrtarë të lartë të partisë, qeverisë dhe ushtrisë janë përfshirë në hetime dhe janë larguar nga detyra.
Vitet e fundit, ushtria ka qenë gjithnjë e më shumë një nga objektivat kryesore të kësaj fushate më të gjerë.
Një sërë hetimesh dhe përjashtimesh kanë lënë vetëm dy figura aktive në Komisionin Qendror Ushtarak, i cili më parë përbëhej nga shtatë anëtarë; mes tyre është edhe vetë Xi, i cili shërben si kryetar.
Siç theksohet më tej, udhëheqja kineze i akuzoi dy ish-udhëheqësit ushtarakë se kanë treguar mungesë besnikërie ndaj partisë, kanë braktisur parimet e saj dhe nuk kanë zbatuar disiplinën e rreptë partiake apo nuk kanë mbikëqyrur siç duhet stafin dhe anëtarët e familjes.
Zhang dhe Liu “shkelën rëndë disiplinën dhe rregullat politike, krijuan klike dhe fraksione, si dhe treguan mungesë besnikërie e pandershmëri ndaj partisë”, thuhet në dokumentet zyrtare të cituara nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.
Ata “tejkaluan vijat e kuqe dhe kufijtë bazë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se “shkeljet e tyre politike dhe ekonomike ishin të ndërthurura, ndërsa pasurimi i paligjshëm përmes korrupsionit shoqërohej me neglizhencë në detyrë dhe shpërdorim të postit”.
“Shumat e përfshira ishin jashtëzakonisht të mëdha; natyra (e sjelljes së tyre) ishte tejet e rëndë dhe ndikimi jashtëzakonisht skandaloz”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa akuzat për korrupsion ndaj oficerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA) nuk janë të pazakonta, “ajo që është e paprecedentë janë akuzat për mosbesnikëri, të cilat përfshijnë formimin e klaneve dhe fraksioneve”, tha Dennis Wilder, ish-analist i CIA-s për Kinën dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Georgetown.
Akuzat për mosbesnikëri “të kujtojnë kohën e Maos” dhe, nëse vërtetohen, mund të sugjerojnë se Xi e shihte situatën si një sfidë serioze ndaj autoritetit dhe pozicionit të tij politik, tha Wilder.
“Kjo përcjell një mesazh të qartë si për veteranët e partisë, ashtu edhe për ushtrinë, lidhur me sfidimin e Xi-t”, shtoi ai.
Ndërkohë bëhet e ditur se Zhang kishte qenë gjithashtu anëtar i Byrosë Politike elitare të Partisë Komuniste në pushtet dhe ishte një nga të paktët oficerë të lartë me përvojë luftarake.
“Ajo që bie më shumë në sy në këtë moment specifik është fakti se, në vitet 1980, Zhang Youxia u prezantua nga aparati propagandistik i partisë dhe ushtrisë si provë se një brez tjetër i të rinjve kinezë do të tregohej besnik ndaj revolucionit”, tha Joseph Torigian, ekspert i politikës kineze në Universitetin Amerikan.
“Dhe tani, Zhang po përballet me akuza për korrupsion dhe materializëm, të cilat kanë rrëzuar shumë të tjerë të brezit të tij”.
Përjashtimi i Zhang-ut dhe Liu-t u miratua zyrtarisht gjatë një mbledhjeje të Byrosë Politike të kryesuar nga Xi të hënën, raportuan mediat shtetërore.
Çështjet e tyre të dyshuara penale do t’u kalonin më pas prokurorëve ushtarakë për shqyrtim dhe ndjekje penale, në përputhje me ligjin, njoftoi agjencia Xinhua.
Njoftimi erdhi pak ditë para se presidenti kinez Xi Jinping të udhëtonte drejt SHBA-së për bisedime me presidentin Donald Trump, dhe disa javë para një mbledhjeje kyçe të partisë në tetor, që do të trajtonte çështjet e qeverisjes së brendshme dhe disiplinës partiake. /Telegrafi/