Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për kërkesën që ka ardhur nga degët e Pejës dhe Lipjanit për dorëheqjen e kryetarit të partisë pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai këtë e ka vlerësuar si pjesë të demokracisë në këtë parti, duke e cilësuar si kërkesë politike.
Haziri ka thënë se kërkesa e këtyre degëve që drejtohen nga Gazmen Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, por edhe përgjigjja e Lumir Abdixhikut do të trajtohen në organet e partisë.
Ai ka thënë se një kërkesë e tillë nuk i ka zënë në befasi, pas sipas tij pas zgjedhjeve situata të tilla janë të pritshme.
“Është kërkesë politike, reagimi i kryetarit është ky, ka fillu me falënderim dhe natyrisht e ka ndërtua përgjigjen e tij, të cilën do ta diskutojmë brenda strukturave. Ne kemi një qëllim të përbashkët, nuk bën me prek, qëllimin politik, pse LDK ekziston, garon, cili është misioni jonë , kjo është ajo që e kemi të përbashkët. Derisa LDK nuk kthehet parti e parë për shumë prej neve është e pa pranueshme, trendi është pozitiv. Kjo situatë nuk na ka zënë në befasi, situatat paszgjedhore, LDK është e hapur dallon prej partive tjera nuk i mban të mbyllura këto çështje edhe pse do duhej biseduar brenda”, ka thënë Haziri në Tëvë1.
Dega e LDK-së e Pejës dhe Lipjanit, si dhe Dega II e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se LDK-ja po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj. /Telegrafi/
