Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që shpërtheu të shtunën në një termocentral në jug të Irakut. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Irak, INA, ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur ta vënë nën kontroll zjarrin në termocentralin “Hartha”, në veri të qytetit të Basrës, pas ndërhyrjes së zjarrfikësve.
Zyrtarët e sigurisë kanë bërë të ditur se zjarri është përhapur edhe në shtëpitë përreth, ndërsa ka detyruar ndërprerjen e punës në termocentral, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Termocentrali “Hartha” ka kapacitet të instaluar prej 800 megavatësh, por para shpërthimit të zjarrit po operonte me rreth 400 megavatë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare për shkakun e zjarrit apo për shkallën e dëmeve materiale.
Infrastruktura energjetike e Irakut prej vitesh përballet me probleme për shkak të mungesës së investimeve, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe vështirësive për të përmbushur kërkesën për energji elektrike, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës. Zjarret dhe defektet teknike në nënstacione dhe objektet energjetike kanë shkaktuar edhe më parë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në vend.

