Kanadaja dhe Bosnja e Hercegovina kanë ndarë pikët në ndeshjen e Grupit B të Kampionatit Botëror 2026, pasi përballja u mbyll me rezultat 1-1.
Kanadezët e nisën më mirë takimin dhe krijuan rastin e parë serioz në minutën e 17-të, kur Jonathan David u gjend i vetëm përballë portës, por portieri Nikola Vasilj reagoi shkëlqyeshëm për të shpëtuar Bosnjën.
Megjithatë, ishin boshnjakët ata që kaluan të parët në epërsi. Në minutën e 21-të, pas një goditjeje nga këndi, Sead Kolasinac asistoi me kokë brenda zonës, ndërsa Jovo Lukić devijoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Bosnja e ruajti avantazhin deri në fund të pjesës së parë, duke shkuar në pushim me një gol epërsi, pavarësisht presionit të vazhdueshëm të Kanadasë.
Në pjesën e dytë, skuadra e Jesse Marsch shtoi ritmin dhe iu afrua barazimit në minutën e 53-të, kur Richie Laryea goditi shtyllën pas një devijimi të mbrojtjes boshnjake.
Presioni i vazhdueshëm i kanadezëve dha rezultat në minutën e 78-të. Promise David krijoi hapësirë dhe asistoi për Cyle Larin, goditja e të cilit u devijua nga mbrojtja para se të përfundonte në rrjetë për 1-1.
Në minutat e mbetura të takimit, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por pa sukses.
Në fund, ndeshja përfundoi 1-1, rezultat që i lë të hapura llogaritë për të dyja kombëtaret në Grupin B të Kampionatit Botëror 2026./Telegrafi/
