KORREKT / SOT9 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

“Kam punuar në bunkerin e Hitlerit përpara se të arratisesha”, historia e jashtëzakonshme e 101-vjeçarit

“Kam punuar në bunkerin e Hitlerit përpara se të arratisesha”, historia e jashtëzakonshme e 101-vjeçarit

Ches Black është një burrë që nuk e pëlqen shumë vëmendjen, por historia e tij jetësore është e mbushur me tragjedi, guxim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Në moshën 101-vjeçare, ai jeton një jetë të qetë në një fshat të Oxfordshire-it në Angli.

Por rrugëtimi i tij deri këtu ka qenë gjithçka tjetër veçse i zakonshëm: nga kapja nga trupat gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, te puna në ndërtimin e bunkerit të Adolf Hitlerit në Berlin dhe një arratisje që ngjan me skenarët e filmave të Hollywood-it.

Historia e tij nisi në vitin 1939, kur trupat gjermane e morën nga shtëpia e tij në Varshavë të Polonisë, në kohën kur Gjermania naziste nisi pushtimin që do të shënonte fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Black ishte ende adoleshent kur forcat gjermane dhe sovjetike pushtuan Poloninë në shtator të vitit 1939.

“Nuk i pëlqenim ata. Nuk i pëlqenim as rusët dhe as gjermanët”, kujton ai në një intervistë për BBC-në.

Forcat polake dhe civilët rezistuan për gati tri javë, përpara se ushtria gjermane të merrte kontrollin e kryeqytetit.

“Na ndanë plotësisht. Mbaj mend vetëm se isha në një kamion, me derën hapur, duke u përshëndetur me miqtë dhe hallën time. Që nga ai moment nuk e pashë më nënën”, rrëfen Black.

Nga robëria naziste te ndërtimi i bunkerit të Hitlerit

Pasi ra në duart e forcave gjermane, adoleshenti u detyrua të punonte për Organizatën Gjermane të Transportit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth tre milionë polakë u dërguan në Gjermani nga nazistët për punë të detyruar ose në kushte skllavërie.

Gjatë kësaj periudhe, Black u përfshi edhe në fazat e para të ndërtimit të një rrjeti nëntokësor nën kopshtin e Kancelarisë së Vjetër të Rajhut në Berlin.

Ky objekt do të shndërrohej më vonë në Führerbunker, bunkerin ku Adolf Hitler kaloi pjesën më të madhe të vitit të fundit të luftës, ndërsa forcat aleate po përparonin drejt Berlinit.

Pikërisht aty, më 30 prill 1945, Hitleri i dha fund jetës së tij së bashku me Eva Braun.

Ai thotë se në atë kohë nuk e kishte kuptuar rëndësinë e vendit ku kishte punuar. Vetëm pas përfundimit të luftës, kur pa fotografitë e bunkerit në një gazetë polake, e kuptoi se aty kishte vdekur Hitleri.

Arratisja nga gjermanët në Itali

Më vonë, gjatë qëndrimit në Italinë e Benito Mussolinit, Black arriti të arratisej nga robëria gjermane.

Ai tregon se kamioni me të cilin po udhëtonte u sulmua me armë zjarri. Në atë moment, ai shfrytëzoi rastin për t’u larguar dhe kaloi disa ditë pa ushqim dhe ujë.

Pas kësaj, e gjetën disa partizanë italianë, të cilët luftonin kundër regjimit fashist. Me ndihmën e tyre, ai arriti të lidhej me trupat britanike, të cilat e ndihmuan të largohej nga Italia.

“Dëgjonim artilerinë, fronti po afrohej gjithnjë e më shumë. Gjermanët ishin në njërën anë, ndërsa një divizion tankesh angleze në anën tjetër. Gjatë gjithë ditës qëllonin njëri-tjetrin, por natën pushonin. Atëherë vendosëm të shkonim te britanikët”, kujton ai.

Britania u bë atdheu i tij i ri

Pasi mbërriti në Britani, Black iu bashkua Korpusit të Dytë Polak, i cili luftonte përkrah forcave britanike.

Por përfundimi i luftës nuk nënkuptonte kthimin në shtëpi.

Kontrolli nazist në Poloni u zëvendësua nga pushtimi sovjetik, duke bërë të pamundur kthimin e tij dhe të shumë ushtarëve të tjerë polakë që kishin përfunduar në Britani.

“Ushtarët polakë luftuan duke menduar se një ditë do të ktheheshin në shtëpitë dhe familjet e tyre. Papritur, e gjetën veten pa shtëpi, pa asgjë”, thotë Black.

“Anglia ishte toka jonë e premtuar”, shton ai.

Pas luftës, shumë polakë, përfshirë edhe Black, u vendosën në kampe refugjatësh në jug të Oxfordshire-it, mes tyre në Nettlebed dhe Checkendon.

Black fillimisht punoi në fabrikën e biskotave Huntley and Palmers në Reading, ku, siç kujton, rastësisht takoi një ushtar polak me të cilin kishte luftuar në Itali.

Më vonë punoi edhe në fabrikën e veturave Morris në Oxford, përpara se të vendosej përgjithmonë në jug të Oxfordshire-it.

Në moshën 101-vjeçare, ende lëviz me biçikletë elektrike

Një nga vendet që ka ruajtur kujtime të rëndësishme për komunitetin polak është lokali Black Horse në Checkendon

Ai shërbente si pikë takimi për qindra polakë që jetonin në kampet e refugjatëve në zonë gjatë viteve 1946–1961.

Së fundmi, aty u zbulua një pllakë përkujtimore në nder të pjesëtarëve të Korpusit të Dytë Polak që luftuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pllaka u zbulua në tetor nga Ches Black dhe ambasadori polak në Britani, Rafał Wiśniewski.

Ambasadori theksoi se mikpritja dhe solidariteti i treguar ndaj refugjatëve polakë duhet të kujtohen edhe sot, në një kohë kur Evropa po përballet sërish me konflikte ushtarake.

Edhe pse ka kaluar moshën 100-vjeçare, Black vazhdon të lëvizë me biçikletën e tij elektrike me tri rrota nëpër zonën ku jeton.

Duke kujtuar përvojën në frontin e luftës, ai thotë se lufta i mësoi vlerën e shoqërisë dhe solidaritetit.

“Kur je në luftë, nuk mendon për veten, por për të gjithë të tjerët”, shprehet ai.

Sot, ndërsa shumica e njerëzve me të cilët ka luftuar dhe ndarë jetën nuk janë më gjallë, Black është pjesë e një grupi gjithnjë e më të vogël të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.

“Mendoj se kam qenë me fat, po. Të gjithë miqtë dhe njerëzit që kam njohur janë zhdukur. Është shumë e çuditshme. Ndjej sikur po nis një jetë të re”, përfundon 101-vjeçari. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.