Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se nuk sheh pothuajse asnjë shenjë të vullnetit të Rusisë për të negociuar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të G7-s në Paris, Kallas tha se Moska ka nënshkruar më parë një sërë marrëveshjesh që garantojnë sigurinë evropiane, por nuk i ka respektuar ato.
Ajo theksoi se çdo diskutim i ardhshëm për sigurinë e Evropës duhet të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, në përputhje me traktatet dhe strukturat e tij institucionale, e jo përmes formateve të improvizuara apo marrëveshjeve të veçanta mes shteteve.
“Është e qartë se vendet e mëdha duan të bisedojnë edhe me vende të tjera të mëdha”, u shpreh Kallas, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, ajo nënvizoi se çështjet që lidhen me sigurinë evropiane duhet të trajtohen përmes mekanizmave të përcaktuar të BE-së.
“Kur bëhet fjalë për çështjet e sigurisë evropiane, Bashkimi Evropian ka linja shumë të qarta. Ne kemi traktatet tona”, deklaroi ajo.
Kallas shtoi gjithashtu se pret që disa vende evropiane të ndajnë gjatë ditëve në vijim informacionet dhe dyshimet e tyre lidhur me një valë kërcënimesh të rreme për vendosjen e bombave në vende të ndryshme të BE-së. /Telegrafi/

