Jusuf Shujaku, i akuzuar për krime lufte, do ta japë fjalën përfundimtare më 8 dhjetor 2026, në seancën që do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Seanca gjyqësore është caktuar të nisë në orën 08:30, ndërsa me paraqitjen e fjalëve përfundimtare, procesi hyn në një nga fazat e fundit para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shkruan IndeksOnline.
Në seancën e sotme, Shujaku kishte kërkuar të fliste para trupit gjykues për të paraqitur versionin e tij lidhur me rastin.
“Po të isha kriminel dhe t’i kisha duart e përlyera, nuk do të isha kthyer kurrë në Gjakovë e as në Kosovë. Por jam i pastër para Zotit dhe para gjykatës. Nuk kam asgjë për të fshehur”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka deshmuar edhe për jetën e tij pas luftës, duke treguar se në vitin 2001 e kishte shitur banesën në Gjakovë dhe më pas kishte blerë një banesë në Novi Pazar të Serbisë.
Shujaku kishte deklaruar gjithashtu se gjatë luftës ishte larguar nga Gjakova dhe kishte shkuar në Mal të Zi.
Seanca e 8 dhjetorit pritet të mbahet në orën 08:30.

