Nëse do të ekzistonte një renditje e futbollistëve të Kupës së Botës sipas vështirësive që kanë kaluar në fëmijëri, pak histori do të mund të krahasoheshin me atë të Julián Quinones.
Sulmuesi 29-vjeçar, autor i golit të parë të Kupës së Botës 2026 në ndeshjen hapëse të Meksikës kundër Afrikës së Jugut, është shembulli i një njeriu që arriti të mposhtë varfërinë dhe të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme falë futbollit.
Quinones, i cili aktualisht luan për Al Qadsiah dhe përfaqëson Kombëtaren e Meksikës, lindi në Magüi Payán, një qytet i largët në Kolumbi, pranë kufirit me Perunë. Ai mori shtetësinë meksikane në tetor të vitit 2023, por rrënjët e tij janë thellësisht kolumbiane.
Vendi nga vjen – grupe guerile dhe kartele droge
Magui Payan është një vend i varfër dhe i harruar për vite me radhë nga autoritetet kolumbiane. Sipas dëshmive të mbledhura në dokumentarin e realizuar nga gazetari John Sutcliffe për ESPN Mexico, të rinjtë e atij rajoni shpesh përballen me vetëm tri alternativa: të bëhen futbollistë, pjesëtarë të grupeve guerile ose të përfshihen në trafikun e drogës.
Kur në vitin 2017 rajoni u trondit nga një masakër ku humbën jetën 13 persona, Quinones nuk jetonte më atje.
Nëna e tij, Gloria, vazhdonte të jetonte në Kolumbi. Ajo e rriti e vetme, së bashku me tri vajzat e tjera të familjes, pasi futbollisti nuk e njohu kurrë babanë e tij.
“Gjithmonë e ka ndjerë mungesën e figurës së babait. E kishte të vështirë të pranonte që ai nuk ishte pranë tij”, ka treguar Gloria.
Edhe vetë futbollisti ka folur për këtë boshllëk në jetën e tij.
“Ishte e vështirë, sepse ndonjëherë ke nevojë për një figurë atërore që të të udhëheqë dhe të të tregojë se cila është rruga e duhur”, ka rrëfyer ai.
Rajoni i Nariños, ku u rrit Quiñones, ka qenë për vite me radhë një nga zonat më problematike të Kolumbisë, ku minierat ilegale të arit bashkëjetonin me laboratorët e prodhimit të kokainës.
Julian Quinones, futbollisti që dribloi përtej varfërisë telegrafi.com
Ëndrra për tu bërë futbollist
Në një ambient të tillë, ëndrra për t’u bërë futbollist ishte shumë më tepër sesa një dëshirë sportive; ishte një mundësi për të shpëtuar nga varfëria dhe për të ndryshuar jetën e familjes.
Që në fëmijëri, Julian jetonte për futbollin. Ai luante me çdo gjë që mund të shërbente si top dhe përdorte objekte të ndryshme si porta. Në të njëjtën kohë ndihmonte gjyshen në punët e shtëpisë, por pasioni i tij më i madh mbetej futbolli.
Nëna e tij kujton se ai nuk shoqërohej me banda apo grupe problematike.
“Ai studionte dhe shkonte direkt nga shtëpia në fushë. Futbolli ishte gjithçka për të”, ka treguar ajo.
Në moshën 16-vjeçare, i veshur me këpucë të konsumuara ku i dukeshin gishtërinjtë e këmbëve, Quinones mori pjesë në një provë të organizuar nga akademia Fútbol Paz. Aty ai mahniti trajnerët duke shënuar katër gola në një ndeshje.
Klubi kishte lidhje me Tigres UANL dhe drejtuesit nuk hezituan ta afronin menjëherë.
“Kur i pyetnim të rinjtë pse dëshironin të luanin futboll, përgjigjja e Juliánit ishte e qartë: ‘Dua të ndihmoj familjen time’”, kujtojnë drejtuesit e projektit.
Transferimi
Pas vetëm një sezoni, ai u transferua në futbollin meksikan. Në turneun Apertura 2015 me ekipin rezervë të Tigres, shënoi 15 gola në 17 ndeshje dhe emri i tij filloi të tërhiqte vëmendjen si në Kolumbi, ashtu edhe në Meksikë.
Kolumbia e grumbulloi në ekipet e moshave dhe ai mori pjesë në Kupën e Botës U-20 në vitin 2017. Megjithatë, kur iu dha mundësia të zgjedhte kombëtaren në nivelin e të rriturve, Quinones vendosi të përfaqësonte Meksikën, vendin që i kishte dhënë mundësinë të ndërtonte karrierën e tij.
“Askush nuk është profet në vendin e vet. Më dhembte ta shihja larg, por e dija se po ndiqte ëndrrën e tij. Një ëndërr që ndryshoi jetën tonë”, deklaroi ajo.
Karriera e tij ka qenë në ngritje të vazhdueshme. Ai ka luajtur me sukses për Tigres UANL, Atlas FC dhe Club América, duke fituar gjashtë tituj kampionë dhe katër trofe Campeón de Campeones.
Linda e Mesme
Dy vite më parë, nën drejtimin e trajnerit Míchel González, ai u transferua në Arabinë Saudite për t’iu bashkuar Al Qadsiahit, një skuadër e sapongjitur në elitë.
Që nga mbërritja e tij në Lindjen e Mesme, Quiñones ka vazhduar të shkëlqejë. Ai ka realizuar 53 gola me fanellën e klubit saudit, ndërsa vetëm në sezonin e fundit shënoi 33 herë, duke lënë pas në renditjen e golashënuesve emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo dhe Ivan Toney.
Nga rrugët e varfra të Magüi Payánit deri te skena më e madhe e futbollit botëror, historia e Julián Quiñones është dëshmi se talenti, puna dhe këmbëngulja mund të triumfojnë edhe mbi kushtet më të vështira të jetës. /Telegrafi/
