Nga rrënjët si emigrant te një titan i kinemasë moderne duke shkruar klasikë si Dëmshpërblim i dyfishtë [Double Indemnity], Disave u pëlqen e nxehtë [Some Like It Hot] dhe Apartamenti [The Apartment], një retrospektivë e re shënon karrierën e jashtëzakonshme të babait të [zhanrit] film noir-it.
Nga: Darren Richman / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Si të gjithë të mbijetuarit, Billy Wilderi nuk harroi kurrë nga vinte ose çfarë kishte lënë pas. Lindi në fillim të shekullit XX në Austro-Hungari dhe vdiq në fillim të shekullit XXI në Kaliforni, ndërsa mbishkrimi në gurin e varrit të tij i referohet vargut të tij më të famshëm: “Jam shkrimtar, por pastaj askush nuk është i përsosur”. Megjithatë, Wilderi e kishte zakon të bënte filma të përsosur gjatë gjithë karrierës së tij, gjë që dëshmohet nga Pothuajse i përsosur [Almost Perfect] – një retrospektivë gjithëpërfshirëse e veprës së tij që zhvillohet në [kinemanë e Institutit Britanik të Filmit] “BFI Southbank” nga 19 tetori deri në fund të vitit.
Wilderi ishte një vetëmitizues i pandreqshëm, një kineast me markë shumë kohë përpara se të kishte mundësi promovimi përmes llogarive në Instagram dhe takimeve në dyqane pule [të transmetuara në Youtube]. Ai tregonte histori për kohën kur jetonte në Berlin gjatë viteve të tij të hershme në botën e spektaklit dhe mbahej zgjuar gjithë natën nga “një tualet që ishte prishur”.
“Rrija shtrirë aty dhe e dëgjoja dhe, meqë isha i ri dhe romantik, përfytyroja se ishte një ujëvarë e bukur – vetëm për ta larguar mendjen nga monotonia e saj dhe nga mendimi se ishte nevojtore”.
Shumica prej nesh do të kishim thirrur hidraulikun, por kineasti i ri aspirues zgjodhi, në vend të kësaj, ta përdorte incidentin si lëndë për ndoshta korpusin më të madh të veprave të epokës së artë të kinemasë. Ky është njeriu që bëri Dëmshpërblimin e dyfishtë – film noir-in arketip dhe kulmin e zhanrit, një film shpesh të imituar, por kurrë të barazuar. Ai ishte përgjegjës për Disave u pëlqen e nxehtë, një film që rregullisht votohet si komedia më e mirë e bërë ndonjëherë, ndërsa Bulevardi i muzgut [Sunset Boulevard] i tij përgjithësisht njihet si filmi më i mirë për botën e spektaklit. Apartamenti, ndoshta kryevepra e tij, me të drejtë konsiderohet si një nga filmat më të mëdhenj në historinë e këtij mediumi.
– Lexo po ashtu: Some Like It Hot: Transformimi që ndryshoi jetë dhe bëri komedinë më të madhe në histori
Zeniti i “film noir”-it … Barbara Stanwyck dhe Fred MacMurry në “Dëmshpërblim i dyfishtë”Foto: BFI
Ashtu si Stanley Kubricku, Wilderi zotëroi një sërë zhanresh dhe shfaqi një diapazon që rrallë shihet në këtë profesion. Asi në mëngë [Ace in the Hole] ishte satirë goditëse për industrinë së gazetave, Dëshmitari i akuzës [Witness for the Prosecution] ishte një dramë gjyqësore me ndikim të jashtëzakonshëm dhe Fundjava e humbur [The Lost Weekend] trajtoi alkoolizmin në një mënyrë që ishte e paprecedentë në vitet ’40 të shekullit XX. Edhe një vepër më e dobët si Kriza e vitit të shtatë [The Seven Year Itch] përmban një nga imazhet përcaktuese të shekullit: atë të Marilyn Monroes duke qëndruar mbi një grilë metroje, ndërsa fustani i saj ngrihet lart nga ajri. Wilderi ishte pa dyshim egotist, por kishte shumë arsye për të qenë egotist.
Lindi si Samuel Wilder në vitin 1906 në një familje hebreje, por ndryshimi i emrit, në këtë rast, nuk ishte përpjekje për asimilim. E ëma e quajti Wilderin e ri me nofkën “Billi”, frymëzuar nga shfaqjet e Perëndimit të Egër të Buffalo Billit – një lloj argëtimi që ajo kishte përjetuar gjatë një periudhe të shkurtër kur jetonte në Nju-Jork. Në fillimet e karrierës së tij, Wilderi punoi si gazetar dhe valltar shoqërues me pagesë, punë që duket se paralajmërojnë një dëshirë pothuajse patologjike për t’i vëzhguar njerëzit në gjithë kompleksitetin e tyre, si dhe një dashuri për qendrën e vëmendjes.
Karriera e tij si skenarist filloi në Berlin gjatë epokës së filmit pa zë, duke spikatur në bashkëpunimin me Robert Siodmakun dhe Edgar G. Ulmerin për Njerëzit të dielën [People on Sunday]. Të tre burrat do të përfundonin në Holivud pasi kishin ikur nga vendet e tyre për shkak të ngritjes së nazizmit, dhe janë ndër figurat më të rëndësishme në formësimin e lëvizjes film noir – një zhanër që siguri ishte nënprodukt i fateve të familjeve të tyre.
Një fatalizëm i frymëzuar nga fati i familjes së tij … “Fara e keqe” [Mauvaise Graine]Foto: BFI
Kur Adolf Hitleri erdhi në pushtet, Wilderi iku në Francë. Me njëfarë përmbajtjeje ai tha: “Dukej si gjëja e mençur që duhej të bënte një hebre”. Atje bëri debutimin e tij si regjisor në vitin 1934 me Fara e keqe [Mauvaise Graine], megjithëse asgjë në atë film nuk sugjeronte atë që do të vinte pasi ai mbërriti në Holivud më vonë në po të njëjtin vit.
Wilderi u bashkua me Charles Brackettin dhe shkroi filma për të mëdhenjtë dhe të mirët e Holivudit, duke shkruar skenarë për emra si Howard Hawks, Mitchell Leisen dhe Ernst Lubitsch. Ky i fundit ishte heroi i Wilderit dhe ai vari një tabelë mbi tryezën e tij për lehtësi referimi gjatë punës. Në të shkruhej thjesht: “Çfarë do të bënte Lubitschi”?
Wilderi bëri nja dy filma të vegjël amerikanë përpara Dëmshpërblimit të dyfishtë – por, ky ishte filmi që krijoi emrin e tij, filmi më me ndikim i krimit në analet e kinemasë. Holokausti rri pezull mbi Dëmshpërblimin e dyfishtë si tymi nga cigarja e Phyllis Dietrichsonit, ndërsa vlen të vihet në pah se Wilderi po punonte në këtë projekt teksa familja e tij po vdiste në kampe mijëra kilometra larg. Dukej sikur përdori gjithë kreativitetin dhe negativitetin e tij për gjendjen njerëzore për të bërë diçka me vlerë me fajin e të mbijetuarit. Domethënës është fakti se, në një fund alternativ që nuk ka dalë kurrë nga arkivat e [produksionit] Paramount-it, Walteri i Fred MacMurrayt ekzekutohet në një dhomë gazi.
Në fillim të atyre ditëve në Holivud, Wilderi u thirr në konsullatë dhe dukej se mund të dëbohej. Nuk ishte vetëm imagjinata e tij e ethshme ajo që e çoi Wilderin në përfundimin se, në fund, do të përfundonte “i dërguar në [kampin] Dahau” nëse nuk arrinte ta bindte këtë bashkëbisedues për vlerën e tij. Amerikani në detyrë e pyeti Wilderin se çfarë bënte për të siguruar jetesën dhe përgjigjja ishte e shkurtër: “Shkruaj filma”. Zyrtari ecte para e prapa në zyrë, përpara se t’ia vuloste pasaportën të riut dhe t’i thoshte: “Shkruaj disa të mirë”.
Magnum opus-i i Wilderit … Shirley MacLaine dhe Jack Lemmon në “Apartamenti”Foto: BFI
Ai sigurisht e bëri këtë, që nga xhevahiret e hershme – si përshtatja e Emili dhe detektivët [Emil and the Detectives] të Erich Kästnerit gjatë viteve në Berlin, deri te veprat e pavlerësuara në fund të karrierës së tij, si i shkëlqyeri Jeta private e Sherlock Holmesit [The Private Life of Sherlock Holmes], duke kaluar përmes një prej periudhave më të mëdha të suksesit në kinema nga vitet ’40 deri në vitet ’60 të shekullit XX. Ai nuk e harroi kurrë atë marrje në pyetje dhe këmbënguli, deri në fund, se “nuk donte ta zhgënjente atë njeri të dashur në Meksikali”.
Filmat e fundit të Wilderit sugjeronin një njeri jashtë kohës së vet, megjithëse Fedora të paktën frymëzoi romanin e shkëlqyer të Jonathan Coeit të vitit 2020, Z. Wilder dhe unë [Mr Wilder & Me]. Ky i fundit po përshtatet për ekran nga Christopher Hampton, me Stephen Frearsin që pritet të jetë regjisor, ndonëse sigurimi i fondeve ka rezultuar i vështirë. Kjo duket disi me vend, pasi Fedora ka të bëjë me një yll filmi që po plaket, i cili ankohet për kineastët e Holivudit të Ri të viteve ’70 të shekullit XX, duke i hedhur poshtë si “çuna me mjekra”.
Luhatja mes mosnjohjes dhe vlerësimit duket e përshtatshme për një kineast që ndërthuri me mjeshtëri errësirën me dritën. Njëzet e pesë vjet pasi tualeti e kishte mbajtur zgjuar, Wilderi arriti në një banjë termale austriake dhe te një ujëvarë e vërtetë, “më e bukura në botë”.
“Ja ku jam në shtrat, duke dëgjuar ujëvarën. Dhe, pas gjithë asaj që kam kaluar, gjithë telasheve dhe gjithë parave që kam fituar, gjithë çmimeve dhe gjithçkaje tjetër, ja ku jam në atë vend pushimi dhe gjithçka që mund të mendoj është ai tualet i mallkuar. Kjo, siç thotë njeriu, është historia e jetës sime”. /Telegrafi/