Gjyqtari salvadorian Ivan Barton është përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kupës së Botës 2026, gjysmëfinalen mes Francës dhe Spanjës, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin AT&T në Arlington.
Kjo do të jetë ndeshja e katërt e Bartonit në këtë edicion të Botërorit, duke e bërë atë gjyqtari nga Amerika Qendrore me më së shumti ndeshje të drejtuara në historinë e Kupës së Botës.
Barton, 35-vjeçar, ka drejtuar më herët në këtë turne përballjet Turqi – Paraguai, Japoni – Suedi në fazën e grupeve, si dhe Zvicër – Kolumbi në raundin e 16-të.
Ai kishte qenë pjesë edhe e Kupës së Botës 2022 në Katar, ku arbitroi tri ndeshje, ndërsa me paraqitjet e tij është shndërruar në një nga gjyqtarët më të vlerësuar të kontinentit të tij.
Një gjyqtar me dorë të fortë
Barton njihet për stilin e tij strikt dhe vendosmërinë në momentet kritike të ndeshjeve. Gjatë karrierës së tij ka drejtuar mbi 300 takime zyrtare, duke dhënë më shumë se 1,400 kartonë të verdhë dhe 86 kartonë të kuq direkt.
Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin turne si Kupa e Artë e CONCACAF, Liga e Kombeve e CONCACAF, Lojërat Olimpike të Tokios 2020, Kupën e Botës 2022, si dhe Kupën e Botës për Klube të FIFA-s.
Gjyqtari që hyri në histori me “Ligjin e Vinicius”
Ivan Barton u bë protagonist i një momenti historik në këtë Botëror, pasi ishte gjyqtari i parë që zbatoi rregullin e ri të FIFA-s, të njohur si “Ligji i Vinicius”.
Në ndeshjen Turqi – Paraguai, ai përjashtoi me karton të kuq sulmuesin paraguajan Miguel Almiron, pasi lojtari mbuloi gojën gjatë komunikimit me një kundërshtar. Pas ndërhyrjes së VAR-it, Barton vendosi ta ndëshkonte direkt me përjashtim.
Rregulli i ri i FIFA-s synon të ndalojë lojtarët që fshehin gojën për të thënë fjalë fyese ose provokuese ndaj kundërshtarëve apo zyrtarëve të ndeshjes. Vendimi lidhet edhe me rastet e mëparshme që përfshinë futbollistë si Vinicius Junior dhe Francisco Prestianni, të cilat nxitën diskutime të mëdha në futbollin ndërkombëtar.
Tashmë Barton do të ketë një tjetër sfidë të madhe në karrierën e tij, duke drejtuar duelin mes Francës dhe Spanjës, ku do të përcaktohet njëri prej finalistëve të Kupës së Botës 2026. /Telegrafi/
