Steve McClaren, që ishte pjesë e stafit të Erik ten Hag ka folur për përplasjen mes Cristiano Ronaldos dhe teknikut holandez, duke treguar se që herët e kishte kuptuar se situata do të shkonte drejt një “ose unë, ose ai”.
Ronaldo u përplasë me Ten Hag gjatë periudhës së dytë te Man Unitedi, ku edhe si pasojë pas pak muajve u largua përfundimisht nga “Old Trafford”.
McClaren që dikur ishte në stafin e Sir Alex Ferguson ishte rikthyer pas 21 viteve për Ten Hag, ndërsa për “The Athletic” ka zbuluar prapaskenat se çka ndodhi më saktësisht mes Ronaldos dhe ish-trajnerit të Ajaxit.
“Eriku u përpoq ta imponojë stilin e tij dhe prandaj e pati atë konflikt me Ronaldon gjatë gjithë kohës. I thashë Erik, shumë herët: ‘Je ti ose ai’”.
Cristiano Ronaldo dhe Steve McClaren
Ai shtoi se Ronaldo, në përgjithësi, ishte korrekt, por nuk pranonte rolin dhe detyrat taktike që Ten Hag kërkonte, sidomos pa top.
“Ronaldo zakonisht ishte OK. Por ai nuk donte ta bënte punën që Erik donte prej tij. Ose nuk e ndiente se ishte i aftë ta bënte. Udhëzimet pa top ishin: ‘Futu në mes, sapo të kthehesh mbrapa je presingu i parë, pastaj një vrapim i dyfishtë, madje edhe i trefishtë ndonjëherë’”, shpjegoi McClaren.
“Është e drejtë që 11 lojtarë të sulmojnë dhe 11 të mbrojnë. Jo 11 lojtarë të sulmojnë dhe 10 të mbrojnë. Prandaj i thashë: ‘Duhet të vraposh, është e thjeshtë, Ronnie. Nëse nuk e bën, nuk luan’”.
McClaren shtoi se disa trajnerë të tjerë mund të kenë tentuar të përshtaten dhe ta akomodojnë Ronaldon për të nxjerrë më të mirën prej tij, por kjo krijonte një kosto të madhe për ekuilibrin e ekipit dhe dhomën e zhveshjes.
“Ndoshta trajnerë të tjerë janë përpjekur të përshtaten dhe ta akomodojnë për të marrë maksimumin prej tij. Por ekuilibri i kësaj ishte i madh. Me shumë gjasë, gjysma e skuadrës thoshte: ‘Ne mendojmë se Ronnie ka të drejtë’, ndërsa gjysma tjetër: ‘Ne mendojmë se Erik ka të drejtë’”, përfundoi ai./Telegrafi/