KORREKT / SOT27 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

Ish-Miss Zvicra akuzon Donald Trumpin për përdhunim

Ish-Miss Zvicra akuzon Donald Trumpin për përdhunim

Beatrice Keul, ish-modele dhe pjesëmarrëse në konkursin e bukurisë Miss Switzerland, ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se e ka përdhunuar në vitin 1993, në hotelin Plaza në New York. Pretendimet e saj janë përfshirë në një raport të publikuar nga demokratët në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili shqyrton edhe lidhjet e pretenduara të Trumpit me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Sipas raportit, Keul ka deklaruar se incidenti ndodhi në nëntor të vitit 1993, kur ajo ishte 24 vjeçe dhe kishte marrë pjesë në një aktivitet të lidhur me një konkurs bukurie në hotelin Plaza, i cili në atë kohë ishte në pronësi të Trumpit, sipas NDTV.

Në dëshminë e saj, ajo pretendon se Trump i kishte premtuar se do ta ndihmonte të siguronte vizë për në Shtetet e Bashkuara dhe të pranohej në Universitetin e New Yorkut (NYU). Më vonë, sipas raportit, një përfaqësues i Trumpit e kishte ftuar të takohej me të në një suitë të hotelit.

“Me të hyrë brenda, Trump dyshohet se e kapi Keulin nga pas dhe e përdhunoi me forcë, duke ia shqyer fustanin dhe duke i shkaktuar gjakderdhje dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në raport, ku përshkrimi i saj për sulmin e pretenduar cilësohet si “brutal”.

Beatrice Keul (Foto: RTS)

Raporti pretendon gjithashtu se, pas incidentit, Trump i kishte përsëritur premtimet për vizën dhe pranimin në universitet, ndërsa i kishte kërkuar të heshtte.

Në tetor të vitit 2024, Keul kishte folur publikisht për herë të parë për atë që, sipas saj, kishte ndodhur në hotelin Plaza. Në atë kohë, ajo e kishte akuzuar Trumpin për ngacmim seksual, duke deklaruar se ai e kishte puthur dhe prekur pa pëlqimin e saj, por se kishte arritur ta ndalte situatën para se ajo të përshkallëzohej në atë mënyrë që përshkruhet në raportin e fundit.

Pretendimet e reja janë bërë publike në kuadër të një raporti të demokratëve në Kongresin amerikan, i cili përmbledh akuza të ndryshme për sjellje të pahijshme seksuale ndaj Trumpit dhe shqyrton lidhjet e tij të mëparshme me Epstein.

Shtëpia e Bardhë i ka mohuar akuzat, duke e cilësuar raportin si një përpjekje politike të demokratëve për të dëmtuar presidentin. Një zëdhënës i saj i ka përshkruar pretendimet si të pavërteta dhe ka thënë se ato synojnë të shpërqendrojnë opinionin publik.

Akuzat e Beatrice Keul nuk janë vërtetuar në gjykatë dhe, sipas raportimeve, Trumpi nuk është akuzuar penalisht në lidhje me këtë pretendim. Për këtë arsye, ato mbeten pretendime të saj, të cilat presidenti amerikan i ka mohuar. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.