Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti ka mirëpritur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me të cilën ka zhvilluar një takim miqësor, të përqendruar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimin institucional dhe perspektivat e avancimit të tij në fusha me interes të përbashkët.
Nga kabineti i Mexhitit thonë se gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve fqinjësore, të mbështetura në lidhjet historike, kulturore dhe shoqërore ndërmjet dy vendeve. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për komunikim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe identifikimit të mundësive të reja për bashkëpunim, në funksion të zhvillimit dhe interesave të përbashkëta.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpresim në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë lidhje të rëndësishme historike, kulturore dhe vëllazërore, të cilat përbëjnë një bazë të qëndrueshme për thellimin e bashkëpunimit tonë. Gjatë bashkëbisedimit theksuam rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe avancimit të iniciativave me interes të përbashkët. Besoj se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy vendeve është në shërbim të zhvillimit, stabilitetit dhe perspektivës sonë të përbashkët”, deklaroi Mexhiti.
Në përfundim të takimit, Mexhiti shprehu mirënjohje për vizitën e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke i uruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive të saj institucionale dhe duke ritheksuar rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/

