Ish-gjyqtari i La Ligas, Eduardo Iturralde Gonzalez, ka reaguar ashpër ndaj Jose Mourinhos, duke pretenduar se trajneri i Real Madridit nuk e kupton si duhet protokollin e VAR-it.
Mourinho kishte kritikuar gjykimin pas ndeshjes së xhiros së dhjetë të La Ligas kundër Villarrealit, të cilën Real Madridi e fitoi me rezultat 1-0.
“Ju sugjeroj ta shikoni vetëm minutën e parë të ndeshjes. Kaq mjafton”, kishte deklaruar trajneri portugez, duke lënë të kuptohet se kishte arsye për t’u ankuar për vendimet e gjyqtarëve.
Megjithatë, Iturralde nuk u pajtua me këtë vlerësim, duke i kundërshtuar pretendimet e Mourinhos dhe duke vënë në pikëpyetje njohuritë e tij për rregullat e lojës.
“Ai thotë: ‘Për ata që kuptojnë, minuta e parë mjafton’. Mund të dijë shumë për futbollin, por di shumë pak për rregullat dhe edhe më pak për protokollin e VAR-it”, deklaroi ish-gjyqtari.
Iturralde shpjegoi se në minutën e parë Kylian Mbappe u kthye nga një pozicion jashtë loje, mori topin dhe e pasoi drejt qendrës së fushës. Sipas tij, në një situatë të tillë, në bazë të protokollit të VAR-it, asistenti duhet ta ngrejë flamurin.
Ai bëri dallimin me një rast të ngjashëm që përfshinte Ayoze Perezin, ku asistenti nuk ndërhyri menjëherë, pasi aksioni ndodhi pranë zonës së penalltisë dhe mund të përfundonte me gol.
“Ka një dallim, por për ta kuptuar atë, duhet t’i njohësh rregullat. Ai mund të dijë shumë për futbollin, por, sa u përket rregullave, më lejoni t’ia sqaroj”, shtoi Iturralde.
Ish-gjyqtari komentoi edhe ankesën e Mourinhos për emërimin e gjyqtarëve. Trajneri kishte shprehur shqetësim që emri i gjyqtarit të një ndeshjeje dihet tri javë më herët, në vend se vetëm 24 orë para saj.
Sipas Iturraldes, në Spanjë gjyqtarët informohen për ndeshjet që do të drejtojnë jo më herët se një javë para fillimit të tyre.

