Interi ka nisur bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin turk Hakan Calhanoglu, kontrata aktuale e të cilit skadon më 30 qershor 2027.
Sipas FCInter1908, drejtuesit e klubit italian i kanë propozuar futbollistit një kontratë të re edhe për dy sezone, deri në qershor të vitit 2029, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, deri në vitin 2030.
Bisedimet janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, ndërsa drejtuesit e Interit kanë kontaktuar agjentin e lojtarit, Gordon Stipic, për të diskutuar kushtet e marrëveshjes së re.
Pjesa më e rëndësishme e negociatave lidhet me aspektin financiar. Aktualisht, Calhanoglu përfiton rreth 6.5 milionë euro neto në sezon, por Interi synon ta ulë pagën fikse në kuadër të politikës së re të klubit për menaxhimin e pagave.
Oferta e re parasheh një pagë bazë më të ulët, por me bonuse të ndryshme që mund t’ia mundësojnë mesfushorit turk të përfitojë deri në afërsisht gjashtë milionë euro për sezon.
Megjithatë, mënyra e shpërndarjes së këtyre bonuseve mbetet ende për t’u diskutuar mes palëve.
Agjenti i futbollistit ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare, pasi është duke analizuar ofertën dhe kushtet që do t’i mundësonin Calhanoglut të arrinte përfitimet e propozuara nga klubi zikaltër./Telegrafi/

