Klubi italian Sassuolo është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve në repartin e portierëve gjatë afatit kalimtar dimëror, ndërsa në mesin e futbollistëve që rrezikojnë largimin është edhe portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric.
Sipas raportimeve të mediumit italian “Settecalcio”, drejtuesit e klubit mund të vendosin për largimin e Muricit në muajin janar, nëse gardiani dardan nuk arrin t’i përmirësojë paraqitjet e tij në javët në vijim, transmeton IndeksOnline.
Muric e nisi këtë edicion si zgjedhja e parë e trajnerit në portë, duke qenë titullar në tetë ndeshjet e para, por me kalimin e javëve e humbi vendin në formacionin bazë.
Në tetë paraqitjet e tij në Serie A, portieri i Kosovës ka pranuar 17 gola, ndërsa në tri ndeshjet e tjera në të cilat ka luajtur Stefano Turati, Sassuolo ka pësuar edhe 12 gola të tjerë.
Në total, skuadra italiane ka pranuar plot 29 gola në 11 javët e para të kampionatit, duke regjistruar një fillim të vështirë të sezonit edhe sa i përket rezultateve, me vetëm tetë pikë të grumbulluara.
Megjithatë, as Turati nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, çka e bën situatën mes shtyllave njërën prej çështjeve kryesore që Sassuolo pritet ta analizojë para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
Kësisoj, e ardhmja e Muricit te klubi italian mbetet e paqartë, ndërsa javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për vazhdimësinë e aventurës së tij në futbollin italian. /IndeksOnline/

