Inspektorët e Komunikacionit në Komunën e Fushë Kosovës kanë zhvilluar kontrolle të rregullta në terren me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të ushtrimit të veprimtarisë së taksive ilegale.
Sipas njoftimit të komunës, gjatë inspektimeve janë evidentuar shkelje të ndryshme, për të cilat janë ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Inspektorët e Komunikacionit kanë zhvilluar inspektime të rregullta në terren për identifikimin dhe parandalimin e ushtrimit të veprimtarisë së taksive ilegale. Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të ndryshme, për të cilat janë shqiptuar vërejtje dhe gjoba, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë Kosovës.
Nga komuna është bërë e ditur se institucionet lokale do të vazhdojnë me kontrolle të vazhdueshme, me synim garantimin e një transporti të rregullt, të sigurt dhe të ligjshëm.
“Komuna mbetet e përkushtuar në garantimin e një transporti të rregullt, të sigurt dhe të ligjshëm, duke vazhduar me kontrolle të vazhdueshme për mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një konkurrence të drejtë për operatorët që veprojnë në përputhje me ligjin”, thuhet më tej në njoftim.
Autoritetet komunale kanë theksuar se luftimi i transportit ilegal mbetet një nga prioritetet për ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë në sektorin e transportit publik. /Telegrafi/
