Janë bërë tashmë zyrtare listat e subjekteve politike që do të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit në Kosovë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këto zgjedhje hyn me gjithsej 110 kandidatë, ndërsa një emër që bie në sy në listë është ai i Hidajete Krasniqit, e cila për herë të parë do të kërkojë mandat në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi e cila njihet si ish-pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe si infermiere e njohur nga Peja, ka një karrierë të gjatë profesionale në Spitalin Rajonal të Pejës. Për vite me radhë, ajo ka shërbyer edhe në struktura udhëheqëse të këtij institucioni, duke qenë e angazhuar në menaxhimin e stafit të infermierëve.
Në zgjedhjet lokale, Krasniqi është zgjedhur dy mandate radhazi si deputete në nivel lokal në Pejë nga radhët e AAK-së. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ajo kishte rezultuar si femra më e votuar e këtij subjekti në Pejë.
Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, Krasniqi do të garojë me numrin 49 në listën e AAK-së.
Njoftimin për kandidaturën e saj, Krasniqi e bëri përmes një statusi në profilin e saj zyrtar në Facebook, ku theksoi se shërbimi ndaj njerëzve ka qenë “mision jetësor” i saj, duke përmendur angazhimin si infermiere para luftës në sistemin paralel shëndetësor dhe në ambulancat e Nënë Terezës, si dhe rolin e saj gjatë luftës si infermiere dhe pjesëtare e UÇK-së.
Ajo tha se pas luftës, për më shumë se dy dekada, ka udhëhequr me përkushtim stafin e infermierëve në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, si Drejtoreshë e Infermierisë, duke punuar për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve dhe forcimin e sistemit shëndetësor.
“Nga këto përvoja më janë mësuar se dashuria për atdheun dhe për njerëzit dëshmohet me vepra, me ndershmëri dhe me punë të palodhshme… Sot po kërkoj besimin tuaj për ta vazhduar këtë mision edhe në Kuvendin e Kosovës”, shkroi Krasniqi, duke shtuar se synon të jetë “zëri i qytetarëve, i grave, i familjeve dhe i profesionistëve shëndetësorë”. /Telegrafi/