Stacioni Policor Mitrovicë të Veriut, të shtunën ka pranuar informacion për një përleshje në një lokal në rrugën “Zoran Dindiq”, në Mitrovicën e Veriut.
Në njoftimin e policisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, të cilat kanë kuptuar se një person ishte dërguar nga emergjenca në spital për trajtim të mëtejmë.
Policia ka kontaktuar me viktimën, një 23-vjeçar, i gjinisë mashkullore, i cili ka deklaruar se ishte sulmuar me mjete të forta dhe grushte nga persona të panjohur për të.
“Në lidhje me rastin, Policia ka ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes”.
Policia ka njoftuar se janë identifikuar dy persona të dyshuar, të cilët më pas janë kërkuar nga njësitë policore në adresat e tyre të banimit në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.
“Të dy të dyshuarit janë paraqitur sot në stacionin policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit N.M., i lindur në vitin 1995, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari D.M., i lindur në vitin 2000 është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë./Klankosova.tv

