Mungesa e barnave në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdon të jetë shqetësim për pacientët që përballen me sëmundje të rënda malinje.
Një 54-vjeçar, i diagnostikuar me sëmundje malinje në mëlçi, tash e tri javë është paraqitur në këtë klinikë, ku pas vlerësimeve mjekësore i janë përshkruar dy terapi tabletare, të cilat janë pjesë e Listës Esenciale, por aktualisht mungojnë.
Pacienti rrëfen se sëmundja është përhapur edhe në eshtra dhe mushkëri, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ka filluar të përkeqësohet.
Bëhet fjalë për terapitë Sorafenib dhe Avastin (Bevacizumab), të cilat, sipas tij, kanë muaj që mungojnë.
Përveç mungesës në institucionet publike, sigurimi i tyre në barnatoret private paraqet vështirësi edhe për shkak të kostos së lartë. Sipas pacientit, çmimi i terapive mund të arrijë deri në 2 mijë deri në 3 mijë euro.
Ai thotë se nuk ka mundësi financiare për t'i blerë këto barna, për të cilat konsideron se shteti duhet të sigurojë furnizimin.
I dëshpëruar me gjendjen në shëndetësinë publike, 54-vjeçari shprehet se po e shqyrton edhe mundësinë e kërkimit të azilit në Francë, duke përmendur se njeh rreth 20 persona nga Ferizaj që, sipas tij, janë larguar për shkak të mungesës së terapive.
Ndërkohë, lidhur me mungesën e këtyre barnave, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë dhënë detaje për gjendjen e furnizimit.
Për Avastin (Bevacizumab), nga Zyra për Media e QKUK-së kanë bërë të ditur se janë njoftuar zyrtarisht nga Zyra e Prokurimit e SHSKUK-së se është nënshkruar kontrata për furnizimin me këtë bar, për nevojat e SHSKUK-së.
Sa i përket Sorafenibit, QKUK-ja njofton se ka kontratë aktive. Sipas tyre, menaxheri i kontratës ka lëshuar kërkesat për furnizim dhe aktualisht janë në pritje të realizimit të furnizimit nga Operatori Ekonomik.
Detajet i gjeni në kronikën e mëposhtme:

