Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë javës së fundit në Kosovë janë regjistruar gjashtë raste të reja me fruth.
Sipas të dhënave të institutit, nga 16 prilli deri më 13 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 164 raste me fruth në vend.
IKShPK ka theksuar se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë te personat që nuk janë vaksinuar me vaksinën MMR.
“Të dhënat tregojnë se mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi”, thuhet në njoftimin e institutit.
IKShPK ka rikujtuar se vaksinimi kundër fruthit është masa më e rëndësishme dhe e sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit.
Instituti ka bërë të ditur se, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të imunizimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”.
Ky program u mundëson vaksinimin fëmijëve që, për arsye të ndryshme, e kanë shtyrë marrjen e vaksinës në kohën e paraparë.
“Gjatë këtij viti, mbi 2,794 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit catch-up, duke dëshmuar angazhimin e prindërve për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre”, thuhet më tej në njoftim.
IKShPK ka vlerësuar se vaksinimi mbetet një nga masat kryesore për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe për të mbrojtur fëmijët dhe komunitetin.
“Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes”, thuhet në njoftim.