Legjenda suedeze Zlatan Ibrahimovic ka ndryshuar edhe një herë parashikimin e tij për fituesin e Kupës së Botës 2026.
Ibrahimovic, i cili ka ndjekur Kampionatin Botëror në rolin e analistit për Fox Sports, deklaroi para finales së madhe mes Spanjës dhe Argjentinës se pret që “La Roja” të triumfojë ndaj kampionëve në fuqi të botës.
Ai kujtoi paraqitjen mbresëlënëse të Spanjës në gjysmëfinale ndaj Francës dhe u shpreh i bindur se skuadra e Luis de la Fuente mund ta përsërisë të njëjtën formulë suksesi edhe përballë Argjentinës.
“Besoj se Spanja mund ta ndalë edhe këtë Argjentinë. Do të luajë futbollin e saj, do të dominojë posedimin e topit, ndërsa Argjentina nuk është një ekip që jeton nga kundërsulmet”, deklaroi Ibrahimovic.
Sipas tij, spanjollët do të kenë kontrollin e ndeshjes nga fillimi deri në fund, falë stilit të tyre të lojës dhe cilësisë në mbajtjen e topit.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Ibrahimovici ndryshon favoritin gjatë këtij Botërori.
Gjatë fazës së grupeve, ish-sulmuesi i Milanit, Barcelonës dhe PSG-së ishte i bindur se Franca ishte skuadra më e fortë në turne.
Ai kishte lavdëruar “Les Bleus”, duke thënë se loja e tyre ishte “diçka krejtësisht ndryshe” dhe se nuk shihte asnjë ekip që mund t’i mposhtte kur luanin në nivelin e tyre më të lartë.
Megjithatë, eliminimi i Francës në gjysmëfinale nga Spanja bëri që Ibrahimovici të ndryshonte sërish mendim, duke e shpallur tani Spanjën si favoriten kryesore për të ngritur trofeun e Kupës së Botës. /Telegrafi/
