Një anëtar i administratës Trump ka këmbëngulur në qëndrimin e tij pasi sugjeroi se Italia duhet ta zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës së FIFA-s që po vjen.
Pavarësisht se turneu që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, në SHBA, Meksikë dhe Kanada, është pak më shumë se një muaj larg, pjesëmarrja e Iranit duket e pasigurt për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.
Presidenti Donald Trump duket se po ndjek linjën e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke pranuar se është “në rregull” me praninë e Iranit në turne, për aq kohë sa “e ka thënë shefi i FIFA-s”.
Në fillim të majit, Infantino deklaroi se Irani do të luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, ka pasur sugjerime nga i dërguari i posaçëm amerikan Paolo Zampolli se Italia mund ta zëvendësojë Iranin në rast se ky i fundit tërhiqet.
Në prill, Zampolli, i lindur në Milano dhe që shërben si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Partneritete Globale, tha: “Konfirmoj se i kam sugjeruar Trumpit dhe Infantinos që Italia ta zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës”.
Megjithatë, burime të FIFA-s kanë konfirmuar se nuk ka plane për ta zëvendësuar Iranin.
Tani, Zampolli e ka përsëritur edhe më fort këtë qëndrim gjatë një interviste për Gazzetta dello Sport.
“Me mbështetjen e Trumpit, kontaktova Infantinon sepse rregulloret e FIFA-s janë të gabuara në mënyrën si zëvendësohet një ekip që nuk paraqitet, dhe nëse Irani nuk do të merrte pjesë në Kupën e Botës, Italia, që e ka fituar katër herë dhe është ekipi me renditjen më të lartë mes atyre që mbetën jashtë, do t’i plotësonte kriteret e duhura”.
“Çështja kyçe është të kuptojmë se çfarë kanë në mendje iranianët, sepse është shumë e vështirë t’u besohet”.
“Ata tani thonë se ekipi do të vijë, por çfarë bëjmë me ata që i ndjekin, gjë që nuk është shumë e mirëpritur në Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh çfarë po ndodh? Loja është ende e hapur”, deklaroi ai./Telegrafi/