Manchester United ka pësuar një humbje të rëndë 4-1 ndaj Comos në Ligën e Kampionëve, në një ndeshje ku skuadra italiane e drejtuar nga Cesc Fabregas ishte dukshëm më e mirë se ekipi i Michael Carrick.
Pas përfundimit të takimit, kapiteni i Unitedit, Bruno Fernandes, nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjen e skuadrës, duke kritikuar qasjen taktike dhe mënyrën se si ekipi u përball me kundërshtarin.
“Jam i zemëruar. Nuk jam i kënaqur me atë që pashë. Stafi ynë vendosi që të mos ushtronim presion ndaj secilit prej lojtarëve të tyre, por t’i prisnim. Megjithatë, kur i jep një skuadre si kjo hapësirë, vetëbesimi i saj rritet”, deklaroi Fernandes.
Kapiteni portugez u pyet edhe nëse trajneri kishte gabuar me zgjedhjet e tij, por preferoi të mos e gjykonte drejtpërdrejt punën e Carrickut.
“Le ta thotë trajneri nëse ka bërë gabim. Nuk më takon mua ta them këtë”, shtoi ai.
Carrick merr përgjegjësinë për humbjen
Pas kritikave të kapitenit, trajneri Michael Carrick pranoi përgjegjësinë për paraqitjen e dobët të skuadrës, duke e cilësuar rezultatin të papranueshëm për një klub si Manchester United.
“Është faji im dhe e marr përgjegjësinë për këtë paraqitje të dobët. Si një tifoz i vërtetë i këtij klubi, mendoj se ajo që ndodhi sonte ishte e papranueshme. Por në futboll nuk mund të zgjedhësh se kur luan keq dhe kur luan mirë”, u shpreh Carrick.
Humbja ndaj Comos shton presionin mbi trajnerin dhe skuadrën angleze, të cilat po kalojnë një periudhë të vështirë. Tashmë, vëmendja do të jetë te reagimi i Manchester Unitedit në ndeshjet e ardhshme dhe te aftësia e Carrickut për ta kthyer ekipin në rrugën e rezultateve pozitive. /Telegrafi/

