Komuna e Bogovinës gjendet në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut, në rajonin planor të Pollogut, në anën e majtë të lumit Vardar dhe rrëzë Malit Sharr. Pozita e saj gjeografike e lidh me komunat e Tetovës, Vrapçishtit dhe Bërvenicës, ndërsa në pjesën perëndimore kufizohet edhe me Republikën e Kosovës.
Sipas dokumenteve zyrtare të komunës, territori i saj shtrihet në një sipërfaqe prej 143,44 kilometrash katrorë, në lartësi mbidetare prej 460 deri në 1.150 metra.
Organizimi territorial i Bogovinës ka kaluar nëpër ndryshime gjatë procesit të reformave të vetëqeverisjes lokale në Maqedoninë e Veriut. Një nga ndryshimet më të rëndësishme ishte riorganizimi territorial, me të cilin ish-Komuna e Kamjanit iu bashkëngjit Komunës së Bogovinës. Sipas prezantimit zyrtar të komunës, organizimi në kufijtë e sotëm funksionon që nga viti 2006, pas bashkimit të dy njësive të mëparshme administrative.
Ky ndryshim bëri që Komuna e Bogovinës të përfshijë një territor më të gjerë dhe një numër më të madh vendbanimesh, duke krijuar strukturën territoriale që e ka edhe sot.
Sipas Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal të Komunës së Bogovinës 2023–2027, komuna përbëhet nga gjithsej 16 vendbanime: Bogovina, Piroku, Rakoveci, Sellca e Keqe, Zherovjani, Kamjani, Jellovjani, Pallçishti i Epërm, Pallçishti i Poshtëm, Sellarca e Epërme, Siniçani, Urviçi, Novaka, Çifliku, Kallniku dhe Novo Sella.
Tetë prej këtyre vendbanimeve shtrihen në pjesën malore të Malit Sharr, ndërsa pjesa tjetër gjendet në zonën e ulët dhe fushore të komunës.
Dallimet në pozitën gjeografike reflektohen edhe në shpërndarjen e popullsisë. Vendbanimet e pjesës së rrafshët kanë numër më të madh banorësh, ndërsa ato malore karakterizohen nga një popullsi më e vogël.
Lëvizja e popullsisë: nga regjistrimi i vitit 2002 deri në te ai në vitin 2021
Një nga treguesit më të rëndësishëm për të kuptuar zhvillimin e Komunës së Bogovinës është lëvizja e numrit të banorëve.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në regjistrimin e vitit 2002 Komuna e Bogovinës kishte 28.997 banorë. Ndërkaq, në regjistrimin e fundit zyrtar të vitit 2021, numri i popullsisë rezidente ishte 22.906 banorë.
Kjo do të thotë se në periudhën ndërmjet dy regjistrimeve është evidentuar një zvogëlim prej 6.091 banorësh, apo rreth 21 për qind në raport me numrin e regjistruar në vitin 2002.
Pra, në vitin 2021, komuna kishte afërsisht një të pestën më pak banorë sesa në regjistrimin e vitit 2002.
Ky ndryshim është një nga treguesit kryesorë të transformimit demografik të kësaj komune. Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021, në Komunën e Bogovinës jetonin 22.906 banorë, me një dendësi prej rreth 160 banorë për kilometër katror.
Bogovina, Piroku dhe Kamjani me numrin më të madh të banorëve
Të dhënat e regjistrimit të vitit 2021, të paraqitura në Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal të komunës, tregojnë se Bogovina është vendbanimi më i madh për nga numri i popullsisë.
Sipas këtyre të dhënave, shpërndarja e banorëve në vendbanimet është: Bogovinë – 5.239 banorë; Pirok – 3.963 banorë; Kamjan – 3.654 banorë; Pallçisht i Poshtëm – 2.563 banorë; Sellarcë e Epërme – 1.521 banorë; Siniçan – 1.205 banorë; Pallçisht i Epërm – 1.127 banorë; Zherovjan – 891 banorë; Novo Sellë – 877 banorë; Urviç – 746 banorë; Rakovec – 577 banorë; Jellovjan – 283 banorë; Novak – 174 banorë; Sellcë e Keqe – 86 banorë.
Këto të dhëna tregojnë dallime të konsiderueshme ndërmjet vendbanimeve. Vetëm Bogovina, Piroku dhe Kamjani së bashku kanë 12.856 banorë, që përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së përgjithshme të komunës.
Në anën tjetër, vendbanimet malore si Sellca e Keqe, Jellovjani dhe zonat e tjera me popullsi më të vogël paraqesin shpërndarje dukshëm më të kufizuar demografike.
Lëvizja natyrore e popullsisë: lindjet dhe vdekjet
Përveç regjistrimeve të popullsisë, një pasqyrë më e afërt e ndryshimeve demografike ofrohet edhe nga të dhënat për lindjet dhe vdekjet.
Strategjia për Zhvillim Ekonomik Lokal e Komunës së Bogovinës, duke iu referuar të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, thekson se në vitin 2019, komuna kishte bilanc pozitiv natyror, me 68 lindje më shumë sesa vdekje. Një vit më vonë, situata ndryshoi, pasi numri i vdekjeve ishte për 38 më i lartë sesa numri i lindjeve.
Trendi negativ vazhdoi edhe në vitin 2021, kur u regjistruan 300 vdekje dhe 241 lindje të gjalla, apo bilanc negativ prej 59 banorësh.
Në total, gjatë këtyre tri viteve u regjistruan 777 lindje të gjalla dhe 806 vdekje. Kjo nënkupton bilanc natyror negativ prej 29 personash për periudhën e analizuar.
Këto shifra tregojnë se, krahas faktorëve të tjerë demografikë, edhe lëvizja natyrore e popullsisë ka ndikuar në ndryshimin e strukturës demografike të komunës.
Situata aktuale dhe sfidat e banorëve
Përkundër investimeve të realizuara dhe projekteve të paralajmëruara, Komuna e Bogovinës vazhdon të përballet me probleme infrastrukturore që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve. Ndër sfidat kryesore mbeten furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm, mungesa e rrjetit të kanalizimit në disa vendbanime, infrastruktura rrugore dhe mbrojtja nga vërshimet.
Sipas Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal 2023–2027, në disa vendbanime ka mungesë të ujit gjatë muajve gusht dhe shtator, ndërsa Zherovjani dhe Pallçishti kanë nevojë për rritjen e kapaciteteve të furnizimit. Dokumenti evidenton gjithashtu se shtrirja e gjerë territoriale dhe mungesa e mjeteve financiare kanë vështirësuar ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në të gjitha vendbanimet.
Situata me ujin e pijshëm mbetet veçanërisht e ndjeshme në Siniçan, ku pas viteve të kundërshtimeve dhe kërkesave të banorëve, në tetor të vitit 2026 nisi ndërtimi dhe sanimi i depos së ujit. Banorët kanë kërkuar që projekti të përfundojë në kohë dhe të vendosen ujëmatës, me qëllim që uji i pijshëm të mos keqpërdoret për ujitjen e tokave bujqësore. Kryetari i komunës, Feti Abazi, ka premtuar se punimet do të përfundojnë brenda vitit 2026.
Sa u përket planeve për periudhën e ardhshme, kryetari Feti Abazi ka prezantuar një program investimesh për vitin 2026, me fokus në rrugë, ujësjellës, kanalizim, infrastrukturë urbane, arsim, kulturë dhe sport. Sipas prezantimit të buxhetit, janë paraparë rreth 2,7 milionë euro për projekte rrugore, investime në ujësjellës, ndërtimi i dy sallave sportive, rikonstruimi i çerdhes në Siniçan, si dhe projekte për ndriçimin publik dhe mbrojtjen e mjedisit.
Udhëheqësia lokale ka paralajmëruar gjithashtu ndërhyrje në 11 rrugë dhe rregullimin e tre shtretërve të lumenjve. Këto janë zotime dhe investime të planifikuara, realizimi i të cilave duhet të vlerësohet në bazë të punimeve të përfunduara dhe shpenzimeve faktike.
Në këtë mënyrë, zhvillimi i Bogovinës mbetet i lidhur ngushtë me aftësinë për t’i shndërruar projektet dhe premtimet në zgjidhje konkrete për të gjitha vendbanimet, veçanërisht për ato që prej vitesh përballen me mungesë të ujit të pijshëm, kanalizimit dhe infrastrukturës së përshtatshme./Telegrafi/

