Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për normalizimin dhe stabilizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar se pa kulturë bashkëpunimi nuk mund të tejkalohen krizat politike.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka luajtur rol në inicimin e proceseve të rëndësishme politike në vend.
“Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Lidhja Demokratike e Kosovës është parti që ka shkaktu procese dhe ka realizu ëndrra”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka mbajtur angazhimet e saj politike me të gjitha partitë për agjendën shtetërore.
“Ne e kemi mbajtë fjalën me të gjitha partitë për agjendën e Republikës. Ne jemi për bashkëpunim për procese politike, për normalizim e stabilizim të Republikës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, krizat politike nuk zgjidhen pa gatishmërinë e partisë së parë për bashkëpunim.
“Nuk nxirret vendi nga kriza nëse partia e parë nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit. E kundërta është me shkaktu procese”, ka thënë Haziri.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me partitë e tjera, duke bërë dallime mes mënyrave të veprimit politik.
“Nëse doni me na provu qysh shkaktohen proceset, pyetne PDK-në. Nëse doni me e kuptu qysh bashkëpunohet, pyetne AAK-në”, ka deklaruar ai.
Haziri ka theksuar se edhe proceset strategjike të vendit kërkojnë koordinim të gjerë politik.
“Edhe BE, NATO e gazi amerikan janë procese strategjike”, ka thënë ai.
Në fund, ai ka shtuar se bashkëpunimi mbetet thelbi i funksionimit të shtetit.
“Unë jam për Republikën dhe bashkëpunimi është shpirti i saj”, ka përfunduar Haziri. /Telegrafi/
