Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë hapëse të edicionit të shtatë të Olimpiadës Matematike Kosovë–Shqipëri (KAMO 2026), e cila po mbahet në Prizren.
Në fjalën e saj para nxënësve, mësimdhënësve dhe organizatorëve, Haxhiu vlerësoi rëndësinë e kësaj gare, duke theksuar se Prizreni mbetet një qytet ku historia dhe kultura ndërthuren me zhvillimin e dijes dhe edukimit.
“Sot, në mendjet e nxënësve që garojnë me dije, përqendrim dhe këmbëngulje po merr formë edhe një pjesë tjetër e së ardhmes, mu në qytetin e Prizrenit”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se matematika i mëson nxënësit të mendojnë me kujdes, të analizojnë dhe të mos dorëzohen përballë vështirësive, duke theksuar se këto aftësi janë të rëndësishme për jetën dhe të ardhmen e tyre.
Sipas saj, pjesëmarrja në olimpiadë dëshmon talent, disiplinë dhe punë të vazhdueshme, ndërsa theksoi se çdo nxënës që arrin deri në këtë fazë është tashmë fitues.
Haxhiu vlerësoi edhe rolin e mësimdhënësve, familjeve dhe organizatorëve në përgatitjen dhe mbështetjen e nxënësve, duke falënderuar Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe Shoqatën Shqiptare të Matematikës për organizimin e garës.
Në fund, ajo uroi që KAMO 2026 të jetë një përvojë e paharrueshme për pjesëmarrësit dhe një mundësi për të krijuar miqësi të reja dhe për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes dijes. /Telegrafi/
