Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka dënuar përdorimin e gjuhës seksiste ndaj deputetes Vlora Çitaku, duke theksuar se një sjellje e tillë është e papranueshme në institucionet e vendit.
Haxhiu përmes një konference për media u shpreh se deputetët janë përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe se gjuha denigruese, veçanërisht ajo me përmbajtje seksiste nuk do të tolerohet në Kuvend.
“Ata janë përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe nëse ka përdorim të gjuhës seksiste, natyrisht që kjo nuk do të lejohet të ndodhë dhe do të dënohet nga unë si kryetare. Me këtë rast ftoj të gjitha grupet parlamentare të dënojnë një gjuhë të tillë, nga kushdo që vjen dhe kudo që bëhet”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se raste të tilla nuk janë të izoluara, duke përmendur se në të kaluarën ka pasur gjuhë të ngjashme edhe ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por sipas saj, nuk ka pasur reagim apo solidaritet të mjaftueshëm për t’i dënuar ato.
“E di që ka pasur raste edhe ndaj aktivistëve të LVV, por nuk ka pasur reagime e solidaritet për të dënuar një gjuhë të tillë. Megjithatë, e dënoj këtë gjuhë seksiste dhe nuk do të lejoj që Kuvendi të shndërrohet në një arenë ku goditen gratë dhe përdoret një gjuhë e tillë”, ka shtuar ajo. /Telegrafi/