Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke i akuzuar për, siç tha, hipokrizi në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e luftës.
Haradinaj ka reaguar lidhur me shfaqjen në Kuvend të videos së daljes publike të UÇK-së, duke thënë se në të njëjtën kohë veteranët janë përjashtuar nga paga minimale, bashkë me Listën Serbe.
“Edhe sot e pamë edhe e vërtetuam një tallava, patriotike. Pra, në Kuvend u shfaq videoja e daljes publike të UÇK-së, nga ata që bashkë me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se veteranët janë lënë në gjendje të rëndë ekonomike, ndërsa ka akuzuar pushtetin për mashtrim ndaj qytetarëve.
“Pra, kuptoni pse po reagoj, edhe të dashur qytetarë të vendit, këta janë mashtrues. Pra, e shfaqin videon, e daljes publike të UÇK-së, në të njëjtën kohë këta së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale dhe i kanë lënë në mjerim”, ka thënë ai.
Haradinaj ka ftuar qytetarët që, sipas tij, ta besojnë atë që e cilësoi si mashtrim dhe pafytyrësi të pushtetit.
“Le ta besojnë të gjithë, pra, këtë pafytyrësi edhe këtë mashtrim të tyre”, shtoi Haradinaj./EO

