Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër anulimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, duke e cilësuar si një nga dëmet më të mëdha për vendin pas luftës.
Ai tha se anulimi i projektit me kapacitet prej 500 megavatësh ka pasoja serioze për Kosovën.
“Anulimi i termocentralit Kosova e Re është dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve pas luftës. Anulimi i një termocentrali prej 500 megavatësh është dëm jo vetëm energjetik, por edhe në siguri dhe pavarësinë tonë politike dhe në çdo sferë tjetër”, deklaroi Haradinaj.
Haradinaj akuzoi kryeministrin Albin Kurti si përgjegjës kryesor për anulimin e projektit.
“Arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti është Albin Kurti dhe grupi rreth tij. Kosovën e kanë lënë pa një termocentral të ri dhe e kanë dorëzuar pavarësinë energjetike”, tha ai.
Ai shtoi se vendi ka humbur mundësinë për prodhim vendor të energjisë dhe ka mbetur i varur nga importi.
“Dikush është kujdesur me vite të tëra që mos me lënë Kosovën me prodhu 500 megavat energji me qymyr të vetin me çmim 80 euro”, u shpreh Haradinaj.
Në deklaratën e tij, ai përmendi edhe ndikime rajonale në sektorin energjetik.
“Serbia nuk ka kriju fitore më të madhe ndaj Kosovës pas ‘99-ës sesa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavat dhe pastaj dorëzimit të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai gjithashtu akuzoi mungesë investimesh në energji dhe pretendoi për ndikime në treg dhe kompani të ndryshme në këtë sektor.
“Nuk kanë marrë masa me prodhur me kriju burime të reja energjetike, sepse rreth tyre janë grumbullu mafia energjetike e Ballkanit që dominohet nga serbët dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë në këtë sallë. Ata bashkë me lidhjen e shkurtë të Kurtit, Dejona Mihali krijojnë kompani çdo dy javë, i regjistrojnë në Shqipëri i sjellin në Kosovë kompani fantazmë, njëra e ka emrin NOA tjetra ENTMT dhe të gjithë këto kompani është një i afërm i Albin Kurtit, i Dejonës”, shtoi ai.
Ai gjithashtu përmendi pretendime për lidhje dhe ndikime në sektorin energjetik.
“Ekziston lidhja e shkurtë e hajnisë në energji, kryehajni është Albin Kurti e kryehajneshë është Dejona Mihali”, tha Haradinaj.
Deklaratat e Haradinajt vijnë në një kohë kur debati për sigurinë energjetike dhe varësinë nga importi mbetet një nga temat kryesore politike në vend. /Telegrafi/