Përfaqësuesit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, mbërritën në Moskë për bisedime mbi mënyrën se si mund të përfundojë lufta në Ukrainë.
Ata u pritën nga i dërguari i presidentit rus, Kirill Dmitriev, dhe pritet të takohen me Vladimir Putinin në Kremlin.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se SHBA-ja ka një propozim të ri konkret për t’i dhënë fund luftës, por nuk dha detaje rreth tij.
Pas takimeve në Moskë, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Kievit.
Mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë të ekzistojnë dallime të mëdha për përfundimin e luftës.
Moska kërkon që Ukraina të dorëzojë territoret e pretenduara nga Rusia dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, kërkesa që Kievi i refuzon.
Ndërkohë, luftimet dhe sulmet me dronë vazhdojnë. Rusia ka bërë përparime të ngadalta në Donbas, ndërsa Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive dhe objekteve të naftës në Rusi.