Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se rikthimi në Kosovë i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, do ta fuqizonte PDK-në dhe do t’i rriste mundësitë për të arritur rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hamza tha se pret që ndaj ish-krerëve të PDK-së të merret një vendim lirues, duke e cilësuar shtyrjen e aktgjykimit për në shtator si të padrejtë.
“Ne presim, edhe pse në mënyrë të padrejtë u shty vendimi për në shtator, ne presim që liderët tanë… s’ka asnjë logjikë dhe as fakt, përveç që të ketë një vendim lirues”, u shpreh Hamza.
Ai tha se nuk mund të paragjykojë nëse Thaçi dhe Veseli do të angazhohen sërish në politikë, duke shtuar se ata asnjëherë nuk i kanë shprehur një synim të tillë.
“Unë nuk mund të paragjykoj se a do të merren ata me politikë, është në të drejtën e tyre. Asnjëherë me mua nuk e kanë thënë që do të jenë pjesë e politikës”, deklaroi kreu i PDK-së.
Megjithatë, sipas Hamzës, vetë rikthimi i tyre do të ndikonte pozitivisht në partinë që ai drejton.
“Partia Demokratike e Kosovës kalon në një nivel tjetër të mundësisë që të ketë rezultat më të mirë sesa që e ka pasur në zgjedhjet e fundit”, tha Hamza.
