ETO FC Gyor është shpallur kampion i Hungarisë për herë të pestë, pasi në xhiron e fundit të kampionatit e mposhti Kisvárdën dhe e kurorëzoi një sezon dramatik, ku titulli u vendos vetëm në raundin final.
Para kësaj ndeshjeje, gjithçka ishte e hapur: ETO kryesonte tabelën me vetëm një pikë më shumë se Ferencvaros, prandaj fati i titullit ishte plotësisht në duart e skuadrës nga Gyor.
Atmosfera në “Varkerti Stadion” ishte e jashtëzakonshme. Mijëra tifozë të ETO-s udhëtuan nga qyteti i tyre drejt skajit tjetër të vendit – me tren e me kolona veturash – dhe këtë e tregonin flamujt bardhe e gjelbër përgjatë autostradës M3 dhe thirrjet “Skuadra kampione, skuadra kampione!”.
Biletat u shitën brenda vetëm tetë minutave, ndërsa festa nuk u ndal as para ndeshjes, me fishekzjarrë, flakadanë dhe flamuj gjigantë të Gyorit gjatë prezantimit të ekipeve.
Në fushë, Kisvarda e nisi më aktivisht dhe krijoi dy raste të mira shënimi, por portieri i mysafirëve, Petras, reagoi shkëlqyeshëm. Megjithatë, në minutën e 10-të, ishte ETO që goditi: Schon asistoi bukur nga krahu i majtë dhe Benbuali realizoi nga afërsia për 0-1.
Pas golit ndodhi edhe një incident, kur një tifoz i Gyorit u hodh nga tribuna dhe një tjetër hyri në fushë për të lajmëruar, por stafi mjekësor reagoi shpejt dhe i riu u largua me ndihmë.
ETO mund ta thellonte epërsinë në pjesën e parë, por edhe portieri i vendasve, Popovics, pati paraqitje të mirë. Në pjesën e dytë, Kisvarda pati më shumë kontroll territorial, ndërsa u panë edhe raste të tjera: Njie goditi traversën në minutën e 64-të, ndërsa më vonë Schon humbi një mundësi të madhe.
Në minutat e fundit, Njie pati edhe një rast me kokë, por topi shkoi jashtë. Pavarësisht paralajmërimeve të spikerit që tifozët të mos vërshonin në fushë, pas vërshëllimës finale festa shpërtheu, me thirrjet “Hajra, Gyor!”.
Me këtë fitore, ETO FC Gyor u rikthye në fronin e futbollit hungarez pas 13 vitesh. Titulli është i veçantë edhe sepse skuadra nuk ishte më e shtrenjta në kampionat: sipas vlerësimeve të Transfermarkt, ETO e nisi sezonin me skuadrën e katërt më të vlefshme, por ia doli t’i lërë pas Ferencvarosin, Puskas Academy dhe Ujpestin./Telegrafi/