Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka kundërshtuar aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si vendim politik.
Pas shqiptimit të dënimit prej 17 muajsh burgim ndaj Thaçit, Gucati ka thënë se kundërshtimi i tyre ndaj Gjykatës Speciale daton që nga viti 2015, kur ishin organizuar protesta kundër themelimit të saj.
“Për ne është e papranueshme. Ne këtë Gjykatë e kemi kundërshtuar që nga viti 2015, kur kemi protestuar në atë kohë, kur Kuvendi veç e pati miratuar. Ne jemi kundër kësaj Gjykate, e kemi ditur dhe e dimë se është gjykatë politike dhe sot mori sërish një vendim politik dhe çdo gjë që kjo Gjykatë ka marrë ka qenë politikë. Dënimet e sotme janë të papranueshme”, u shpreh Gucati.
Gucati vlerëson se përmes këtij vendimi po synohet të ushtrohet presion ndaj Thaçit dhe të tjerëve që po gjykohen në Hagë.
“Kjo Gjykatë po tenton ta gjunjëzojë Thaçin, por edhe të tjerët”, deklaroi Gucati.

