KORREKT / SOT17 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Dënimi i Thaçit: Akuzat e provuara dhe ato që ranë

Dënimi i Thaçit: Akuzat e provuara dhe ato që ranë

Gjykatësi Christopher Gosnell i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë shpalli fajtorë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe tre të bashkakuzuarit e tij, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, në rastin për pengim të drejtësisë, më 17 nëntor.

Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, ndërsa Smakaj dhe Fazliu me nga 12 muaj. Dënimet e dy të fundit u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim.

Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti, ndërsa i bashkakuzuari i pestë, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykimi nisi në shkurt dhe përfundoi në shtator, ndërsa gjatë procesit u paraqitën dëshmi gojore dhe me shkrim.

Rasti lidhet me procesin e ndarë gjyqësor ndaj Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së – Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – për krime lufte. Në atë proces, të katërt u shpallën fajtorë në shtator, ndërsa Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.

Aktgjykimet janë të shkallës së parë dhe mund të apelohen.

Çfarë provoi gjykata në rastin për pengimin e drejtësisë?

Gjykata konstatoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte drejtuar dhe organizuar tri grupe që synonin të ndikonin te dëshmitarët e Prokurorisë dhe, në këtë mënyrë, të pengonin punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve në procesin ndaj tij për krime lufte.

Sipas aktgjykimit, gjatë vitit 2023, Thaçi u kishte dhënë personave që e vizitonin në qendrën e paraburgimit në Hagë udhëzime të hollësishme se çfarë duhej t'u përcillnin dëshmitarëve dhe si duhej të dëshmonin ata. Në disa raste, këto udhëzime kishin arritur deri te dëshmitarët.

Tri rastet përfshinin Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn dhe Isni Kilajn, megjithëse ky i fundit u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Udhëzimet për dëshmitarin Rrustem Mustafa

Më 2 korrik 2023, Fadil Fazliu e vizitoi Thaçin në paraburgim. Gjatë takimit, ata diskutuan gjerësisht për dëshminë që pritej të jepte Rrustem Mustafa në procesin për krime lufte.

Thaçi e përshkroi Mustafën si dëshmitar “vendimtar” dhe i dha Fazliut një sërë porosish që duhej t'ia përcillte.

“Shkurt. Shkurt. Mos filozofo”, ishte njëra prej tyre, përmes së cilës Thaçi kërkonte që Mustafa t'u përgjigjej pyetjeve pa u zgjeruar.

Ai kërkoi gjithashtu që Mustafës t'i thuhej se të tjerët kishin shumë besim tek ai dhe e prisnin me padurim dëshminë e tij.

Udhëzimet nuk kufizoheshin vetëm te mënyra e të dëshmuarit. Thaçi kërkoi që Mustafa ta paraqiste Adem Demaçin si “shef”, të thoshte se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk e kishte ndihmuar me para, logjistikë apo armatim dhe të deklaronte se gjatë luftës nuk kishte ekzistuar SHIK-u.

Ai kërkoi gjithashtu që Mustafa të thoshte se kishte caktuar Policinë Ushtarake.

Sipas Gjykatës, Thaçi këmbënguli që Fazliu t'i shkruante porositë, nga shqetësimi se mund t'i harronte.

Për të mundësuar kontaktin me dëshmitarin, Fazliu propozoi që djali i tij, Fahriu, ta kontaktonte Mustafën nën pretekstin e një procesi pajtimi lidhur me një incident me armë zjarri mes pjesëtarëve të dy familjeve.

Më 3 korrik, Fahriu organizoi një takim mes Mustafës dhe babait të tij. Gjykata konstatoi se ai ishte i vetëdijshëm për qëllimin e takimit.

Gjykata vlerësoi se çështja e pajtimit mund të kishte qenë një nga arsyet e kontakteve mes familjeve, por se në takimin e 3 korrikut u përcollën edhe udhëzimet e Thaçit për dëshminë.

Gjatë vizitës së 2 korrikut, Thaçi kishte zbuluar gjithashtu informacione konfidenciale për disa dëshmitarë të Prokurorisë, duke shkelur fshehtësinë e procedurës.

Dokumenti me udhëzime për Bislim Zyrapin

Rasti i dytë lidhet me ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, i cili e vizitoi Thaçin më 9 shtator dhe 7 tetor 2023.

Gjatë vizitës së parë, Thaçi foli disa herë për dëshmitarin Bislim Zyrapi dhe dha udhëzime për përmbajtjen e dëshmisë së tij.

Ndër të tjera, ai kërkoi që Zyrapi të mos i përziente çështjet e Qeverisë së Përkohshme me ato të Shërbimit Informativ, të mos i ngatërronte rolet e komandantëve dhe të mos e përshkruante organizimin e UÇK-së sipas modelit të ushtrive të Bosnjës dhe Jugosllavisë.

Kur Smakaj u kthye në paraburgim më 7 tetor, i tregoi Thaçit se kishte kontaktuar me Zyrapin dhe se dëshmitari kishte kërkuar sqarime shtesë për disa pjesë të dëshmisë.

Të dy diskutuan më pas udhëzimet që duhej t'i përcilleshin Zyrapit, duke iu referuar edhe një dokumenti me shkrim, të cilin Smakaj ose një vizitor tjetër, Fadil Behrami, kishin ndër mend ta nxirrnin nga objekti i paraburgimit.

Më 30 tetor 2023, gjatë kontrollit në banesën e Smakajt, hetuesit gjetën një dokument me udhëzime për Zyrapin.

Sipas Gjykatës, ai ishte identik me një dokument që Thaçi e kishte ruajtur në kompjuterin e tij në paraburgim, dy ditë përpara vizitës së 7 tetorit.

Zbulimi i informacioneve konfidenciale gjatë vizitës së Kilajt

Rasti i tretë lidhet me Isni Kilajn, i cili e vizitoi Thaçin më 6 tetor 2023, së bashku me Fadil Kryeziun.

Gjatë takimit, Thaçi u kishte zbuluar informacione konfidenciale për gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë, përfshirë identitetin dhe deklaratat e mëparshme të një dëshmitari të mbrojtur.

Megjithatë, Gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme se Kilaj kishte ndërmarrë veprime për t'ia përcjellë dëshmitarit udhëzimet e Thaçit. Për këtë arsye, Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa Thaçi u shpall fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Mesazhi i Kuçit për Rrustem Mustafën

Një pjesë tjetër e aktgjykimit lidhet me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Gjykata konstatoi se Kuçi i kishte dërguar një mesazh Rrustem Mustafës, pasi ky i fundit kishte marrë pjesë në një emision televiziv ku kishte komentuar provat kundër Thaçit në procesin për krime lufte.

“Shoq, të përgëzoj për profesionalizëm, për idetë e qarta për vendin dhe luftën dhe për guximin. Të lumtë”, thuhej në mesazh.

Megjithëse përmbajtja e tij mund të dukej e pafajshme, Gjykata vlerësoi se Kuçi kishte shkelur një urdhër gjyqësor që ndalonte kontaktet me dëshmitarët e Prokurorisë.

Në atë kohë, Kuçi ishte pjesë e njërit prej ekipeve të mbrojtjes në procesin ndaj Thaçit dhe, sipas Gjykatës, duke pasur parasysh përmbajtjen e emisionit televiziv, ishte i vetëdijshëm se po kontaktonte një dëshmitar të Prokurorisë.

Çfarë nuk arriti të provonte Gjykata Speciale ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

Gjykata Speciale në Hagë nuk i vërtetoi të gjitha akuzat ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe të bashkakuzuarve të tij në rastin për pengim të drejtësisë.

Një prej tyre lidhej me pretendimin se Thaçi dhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, kishin vepruar së bashku për të penguar punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke ndikuar te një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë.

Sipas Gjykatës, Thaçi i kishte dhënë Kilajt udhëzime të hollësishme se si duhej të dëshmonte personi i identifikuar si dëshmitari 4, si dhe dy deklarata të mëparshme të tij, të cilat Kilaj i kishte nxjerrë nga qendra e paraburgimit.

Megjithatë, nuk u gjetën prova se Kilaj kishte ndërmarrë hapa të mëtejshëm për ta kontaktuar dëshmitarin. Për këtë arsye, as Thaçi dhe as Kilaj nuk u shpallën fajtorë për tentativë për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët.

Gjykata nuk konstatoi as përfshirjen e Fadil Kryeziut, i cili kishte qenë i pranishëm gjatë vizitës së Kilajt te Thaçi, më 6 tetor 2023. Sipas saj, Kryeziu nuk kishte nxitur veprime penguese dhe as kishte luajtur ndonjë rol në to.

Një tjetër akuzë që nuk u vërtetua lidhej me Thaçin dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ata akuzoheshin se kishin arritur një marrëveshje që Kuçi të kontaktonte tre dëshmitarë të Prokurorisë në emër të Thaçit dhe t'u përcillte udhëzime për dëshmitë e tyre.

Gjykata konstatoi se nuk ishte ndërmarrë asnjë hap thelbësor drejt realizimit të kësaj marrëveshjeje të pretenduar, ndaj të dy u shpallën të pafajshëm për këtë akuzë.

Gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme as se Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj kishin ndihmuar Thaçin në zbulimin e informacioneve konfidenciale për dëshmitarët e Prokurorisë.

Në rastin e Fazliut, bëhej fjalë për informacione të zbuluara gjatë vizitës së 2 korrikut 2023; në atë të Smakajt, për informacione lidhur me dëshmitarë të tjerë, përveç Bislim Zyrapit, gjatë vizitave të shtatorit dhe tetorit; ndërsa në rastin e Kilajt, për informacione mbi gjashtë dëshmitarë të Prokurorisë, të zbuluara gjatë vizitës së 6 tetorit.

Në të tria rastet, Gjykata konstatoi se Thaçi kishte zbuluar informacione konfidenciale, por nuk u bind se vizitorët e tij kishin ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, Thaçi u dënua me 17 muaj burgim për veprat penale për të cilat u shpall fajtor, ndërsa Kilaj u lirua nga të gjitha akuzat. /REL

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.