Ish-trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shprehur admirimin e madh për Jurgen Kloppin, pas lajmit për emërimin e gjermanit në krye të Përfaqësueses së Gjermanisë.
Në një intervistë për “Bundesliga Magazine”, Guardiola e ka cilësuar Kloppin si një prej figurave më të rëndësishme të futbollit, duke vlerësuar personalitetin, karizmën dhe aftësinë e tij për të komunikuar me lojtarët.
“Është njëri prej më të mirëve në futboll. As që mund ta përshkruaj se sa shumë e admiroj. Ai është një personalitet dhe trajner që e bën botën e futbollit një vend më të mirë. Ka karizëm dhe është një komunikues i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Guardiola.
Tekniku spanjoll është shprehur i lumtur për rikthimin e Kloppit në një rol drejtues në futboll, duke besuar se ai mund ta ndihmojë Gjermaninë të rikthejë identitetin dhe entuziazmin rreth Përfaqësueses.
“Jam shumë i lumtur që ai është rikthyer në trajning. Futbolli ka nevojë për personalitete si Jürgen. Besoj se nën udhëheqjen e tij, Gjermania do të arrijë të rikthehet në rrugën e duhur, se përfaqësuesja do të shihet ndryshe, do të rikthehet gëzimi dhe tifozët do të jenë sërish krenarë me ekipin e tyre. Kur dëgjova se ai do të bëhej trajneri i ri i Gjermanisë, u gëzova shumë”, ka thënë ai.
Guardiola beson se stili i lojës së Kloppit do të ndikojë pozitivisht te futbollistët gjermanë, megjithëse nuk ka bërë parashikime për trofetë që mund të fitojë përfaqësuesja nën drejtimin e tij.
“Jurgen do t’i frymëzojë lojtarët që ta përqafojnë stilin e tij të futbollit dhe gjërat do të përmirësohen. Askush nuk mund të thotë nëse do ta fitojnë Kampionatin Evropian apo Kupën e Botës, por jam 100 për qind i bindur se tifozët gjermanë do të jenë sërish krenarë me përfaqësuesen e tyre”, është shprehur Guardiola.
Në fjalët e tij, trajneri i Manchester Cityt ka zbuluar edhe se sa shumë e ka vlerësuar rivalitetin sportiv me Kloppin, duke e cilësuar atë si kundërshtarin më të vështirë të karrierës së tij deri më tani.
“Kur i shikoj ekipet e tij duke luajtur, shpesh e gjej veten duke thënë: ‘Uau, çfarë mënyre për të luajtur futboll’. Mund ta them sot se Jurgen Klopp ka qenë rivali më i madh dhe kundërshtari më i vështirë i karrierës sime deri më tani”, ka theksuar spanjolli.
Pavarësisht rivalitetit të madh në fushë, Guardiola ka treguar se mes tyre ekziston edhe një miqësi jashtë futbollit. Ai ka zbuluar se i ka premtuar Kloppit se gjatë këtij viti do ta vizitojë në Gjermani për të luajtur golf dhe më pas për të kaluar kohë së bashku.
“Ne jemi miq. I kam premtuar se patjetër do të vij në Gjermani në një moment gjatë këtij viti, për të luajtur golf me të dhe më pas të dalim për të ngrënë së bashku”, ka përfunduar Guardiola për Bundesliga Magazine./Indeksonline/

