Federata e Futbollit e SHBA-së pritet ta bëjë Pep Guardiolën kandidatin kryesor për ta zëvendësuar Mauricio Pochettinon, në rast se trajneri argjentinas largohet nga posti për t’u bashkuar me Manchester Unitedin, raporton The Athletic.
Burime të informuara për këtë çështje i kanë thënë mediumit se Guardiola është shfaqur si kandidati i preferuar i amerikanëve në rast të largimit të Pochettinos drejt “Old Traffordit”.
Manchester Unitedi është duke punuar për të arritur marrëveshje me Pochettinon, i cili pritet ta zëvendësojë Michael Carrickun.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit tashmë janë në negociata me ish-trajnerin e Tottenham dhe Chelseat për kushtet personale.
Ndërkohë, Guardiola ka drejtuar më parë Barcelonën, Bayern Munichun dhe Manchester Cityn, duke fituar disa tituj kampionë në ligat vendore, si dhe tri trofe të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar ndonjë ofertë zyrtare apo marrëveshje mes Federatës së Futbollit të SHBA-së dhe trajnerit spanjoll./Telegrafi/

