Meirivone Rocha Moraes, nga Brazili, ka ndarë në rrjetet sociale një dedikim për gjashtëvjetorin e “martesës” së saj me Marcelo, një kukull prej lecke në madhësi reale.
Ajo u lidh me kukullën pasi nëna e saj e kishte krijuar atë për ta shoqëruar në një vallëzim. Që atëherë, Moraes publikon vazhdimisht momente nga jeta e tyre, madje pretendon se kanë krijuar edhe një familje, transmeton Klankosova.tv.
“Gëzuar gjashtëvjetorin e dashurisë, i dashuri im. Ti ke qenë dhe do të mbetesh gjithmonë vendimi im më i mirë”, shkroi ajo në postimin e saj.
Megjithatë, Moraes ka treguar edhe për problemet në këtë marrëdhënie të pazakontë. Ajo e ka quajtur Marcelon “tradhtar të përsëritur”, duke pretenduar se e ka falur disa herë për shkak të familjes që, sipas saj, kanë krijuar së bashku.
Moraes ka thënë gjithashtu se e di që Marcelo është prej lecke, por beson se ai ka shpirt. Ajo ka treguar se kishte menduar edhe t’i jepte fund kësaj marrëdhënieje, madje çifti do të provonte edhe terapi përmes seancave të përbashkëta.
Gruaja, e cila në Instagram ndiqet nga rreth 174 mijë persona, ndan rregullisht histori nga jeta me Marcelon dhe fëmijët e tyre prej lecke.
Marrëdhënia e saj lidhet me atë që njihet si objektofili, një tërheqje romantike ose seksuale ndaj objekteve të pajeta./Klankosova.tv

